Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar pas votimit se shpreson që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje të reja, por ka shprehur shqetësim për zhvillimet politike.
I pyetur nga gazetarët nëse këto mund të jenë zgjedhjet e fundit apo nëse vendi mund të shkojë sërish në proces zgjedhor, Rama u përgjigj se shpreson që ato të jenë të fundit.
“Unë shpresoj që po, por disa këtu kanë tendenca autokratike. Për fat të keq, këta kanë me i shfrytëzu të gjitha mundësitë me na dërgu drejt autokracisë. Për fat të keq do të kemi prapë zgjedhje, varësisht prej rezultateve”, u shpreh Rama.
Pas votimit, Rama tha se demokracia në Kosovë është rezultat i një historie të gjatë sfidash dhe sakrificash.
“Demokracia nuk është diçka që na ka rënë prej qielli. Është provë që është fituar me gjak dhe me sfida të ndryshme, prandaj edhe nuk duhet të merret si e mirëqenë”, deklaroi ai.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë në mënyrë të lirë dhe të vetëdijshme, duke u shprehur kundër tendencave autokratike dhe në favor të proceseve që e çojnë vendin përpara.
“Të votojmë për një shtet demokratik, të votojmë kundër tendencave autokratike dhe për gjëra që janë procese që e çojnë këtë vend përpara”, theksoi Rama.
Në fund, kryetari i Prishtinës u bëri thirrje qytetarëve që të marrin përgjegjësinë e tyre demokratike dhe të vendosin përmes votës së tyre.
“I ftoj qytetarët të votojnë. T’ia lëmë në dorë atyre që dinë, që duan dhe që e shtyjnë vendin përpara”, shtoi ai.
