Policia në Poloni po heton vrasjen “si ekzekutim” të një artisti rus dhe kritiku të zëshëm të presidentit Vladimir Putin.
Prokurorët polakë thanë se Robert K, i njohur si artisti Semyon Skrepetsky, u qëllua për vdekje të hënën në mëngjes në qytetin Biała Podlaska, rreth 40 km nga kufiri me Bjellorusinë.
44-vjeçari u qëllua pesë herë në kokë, gjoks dhe shpinë në një parking në qytet, rreth 600 metra larg konsullatës së Bjellorusisë.
Semyon Skrepetsky ishte pseudonimi i përdorur nga Robert Kuzovkov. Ai ishte i njohur për karikaturat e tij të politikanëve, përfshirë Putinin, liderin bjellorus Alexander Lukashenko dhe liderin çeçen Ramzan Kadyrov.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Qarkut në Lublin, Marcin Kozak, tha se artistit iu afrua nga një person i paidentifikuar i cili qëlloi dy herë mbi të.
“Kur viktima ra në tokë, autori iu afrua, qëlloi edhe tre herë të tjera dhe më pas u largua shpejt nga vendi i ngjarjes. Robert K. vdiq në vend,” tha ai.
Në vendin e ngjarjes u gjetën pesë gëzhoja dhe një plumb 9 mm Luger i markës Geco, tha Kozak, Ndërsa autopsia është planifikuar për të mërkurën.
Policia ka ndaluar dy shtetas bjellorusë, të moshës 33 dhe 37 vjeç, pranë konsullatës bjelloruse në qytet. Roli i tyre në incident ende po hetohet, tha Kozak.
Raportimet mediatike thonë se Skrepetsky ishte shpërngulur në Biała Podlaska në vitin 2021.
“Viktima merrej me aktivitete artistike publike dhe përdorte, ndër të tjera, pseudonimin Semyon Skrepetsky, me të cilin shprehte kritika ndaj politikave aktuale të autoriteteve të Federatës Ruse,” tha Kozak.
Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale e tregonte Skrepetskyn në një protestë të Ditës së Rusisë jashtë ambasadës ruse në Berlin më 12 qershor.
Ai mbante një pikturë që karikaturonte Putinin dhe ish-liderin sovjetik Joseph Stalin, si dhe një flamur rus të lidhur në pantallona që i zvarritej në tokë, shkruan BBC.
