Të fundit

Gjykata e Strasburgut e refuzon ankesën e Dodikut kundër dënimit dhe shkarkimit të tij

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg e ka hedhur poshtë si të papranueshme ankesën e Millorad Dodik kundër një vendimi të gjykatës së Bosnjës, e cila vitin e kaluar e dënoi me burgim dhe e shkarkoi nga detyra e presidentit të entitetit serb Republika Sërpska. Gjykata në Strasburg konfirmoi të martën për Radion Evropa e Lirë (REL) se vendimi u mor nga një gjyqtar i vetëm në maj.

Dodik u ankua në janar në gjykatën e Strasburgut duke pretenduar se të drejtat e tij ishin shkelur nga Gjykata e Bosnje e Hercegovinës, e cila në verën e vitit 2025 e dënoi atë me një vit burgim dhe ia ndaloi ushtrimin e detyrës për gjashtë vjet, për shkak se i kishte shpërfillur vendimet e përfaqësuesit ndërkombëtar në Bosnje.

Në përgjigjën për REL-in gjykata e Strasburgut nuk tregoi arsyet e hollësishme për refuzimin e ankesës së Dodikut, por theksoi se arsyet shpjegohen në vetë vendimin, i cili u nxor në përputhje me Rregullin 52A të gjykatës.

Rregulli 52A i lejon një gjyqtari të vetëm ta rrëzojë një ankesë si të papranueshme në fazën fillestare të procedurave, pa një shqyrtim të hollësishëm të meritave. Vendime të tilla janë përfundimtare, merren me një shpjegim të shkurtër dhe nuk ka të drejtë ankese kundër tyre.

Gjykata thekson se vendimi, së bashku me arsyetimin e gjyqtarit, iu dorëzua ankuesit ose përfaqësuesit të tij ligjor, dhe i shpjegoi REL-it se ka disa arsye pse një ankesë mund të refuzohet, në përputhje me udhëzimet për pranueshmërinë e përdorura nga Gjykata.

Dokumenti sqaron se Gjykata i refuzon kërkesat, ndër të tjera, nëse mjetet juridike të brendshme nuk janë shteruar, nëse ato paraqiten jashtë afatit të caktuar kohor ose nëse Gjykata i konsideron ato qartësisht të pabazuara.

Gjithashtu, Gjykata nuk do ta shqyrtojë një çështje nëse ajo nuk bie brenda juridiksionit të Konventës ose nëse ankuesi nuk ka pësuar dëme të konsiderueshme. Ky vendim vjen pasi kjo gjykatë ia kishte hedhur poshtë një kërkesë të mëparshme Dodikut. Në prill Dodik kishte kërkuar masë të përkohshme për pezullimin e zbatimit të vendimeve të gjykatave vendase në Bosnje kundër tij.

Kërkesa ishte paraqitur sipas Rregullit 39 të Rregullores së Gjykatës, i cili zbatohet vetëm në raste të jashtëzakonshme kur ekziston një rrezik i menjëhershëm i dëmit të pariparueshëm ndaj të drejtave themelore. Dodik u largua nga posti i presidentit të entitetit serb të Bosnjës, Republika Sërpska, në fund të vitit të kaluar, pasi dënimi i tij u konfirmua nga institucionet e brendshme gjyqësore./REL

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci