Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Abdullah Hoti, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin e energjisë, duke paralajmëruar se Kosova mund të përballet me pasoja serioze në raport me investimet strategjike dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se çështja e energjisë nuk është më vetëm një debat sektorial, por një alarm për të ardhmen e vendit.
“Ky nuk është më vetëm një debat për energjinë. Ky është një alarm për të ardhmen e Kosovës”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se paralajmërimet e ardhura nga partneri strategjik i Kosovës, SHBA-ja, duhet të merren seriozisht nga institucionet e vendit.
“Kur partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, na paralajmërojnë se po rrezikojmë të mbetemi jashtë projekteve të mëdha energjetike, të humbasim investime dhe të dobësojmë lidhjen tonë me aleatin më të madh, atëherë heshtja nuk është përgjegjësi”, ka deklaruar ai.
Sipas Hotit, SHBA-ja ka qenë pranë Kosovës në periudhat më të vështira të shtetndërtimit, ndërsa tani vendi duhet të shfrytëzojë mundësitë për zhvillim ekonomik dhe siguri energjetike.
“Qytetarët e Kosovës duhet ta kuptojnë: energjia është siguri kombëtare, investimet janë vende pune, ndërsa raporti me SHBA-në është themel i shtetit tonë”, ka theksuar Hoti.
Ish-kryeministri ka kritikuar edhe qasjen aktuale të institucioneve, duke vlerësuar se vendimet politike nuk duhet të rrezikojnë orientimin strategjik të Kosovës.
“Nuk mund të lejojmë që politika e një njeriu apo e një qeverie ta vërë në rrezik atë që është ndërtuar me dekada. Koha është të zgjohemi, të kërkojmë përgjegjësi dhe të mos lejojmë që Kosova të largohet nga rruga e saj euro-atlantike”, është shprehur ai.
Hoti ka ritheksuar rëndësinë e marrëdhënieve me SHBA-në, duke i cilësuar ato si interes jetik për Kosovën.
“Çdo qeveri duhet ta kuptojë: miqësia me Amerikën nuk është kartë politike — është interes jetik i Kosovës”, ka shtuar Hoti.
