Të fundit

Kuba miraton reformën më të madhe ekonomike ndër dekada

Parlamenti kuban ka miratuar një paketë të gjerë reformash ekonomike, që synojnë hapjen e ekonomisë së vendit, në atë që ambasada kubane në Uashington, e cilësoi si reformën më gjithëpërfshirëse që nga vitet 1990.

Paketa me 176 masa u prezantua para deputetëve nga kryeministri, Manuel Marrero gjatë një seance të posaçme të Asamblesë Kombëtare.

Marrero theksoi se reformat nuk përbëjnë “braktisje të ndërtimit të socializmit”, por janë të domosdoshme për ruajtjen e tij.

Ndër ndryshimet kryesore, parashikohet lejimi i qytetarëve kubanë, për të zotëruar më shumë se një kompani, autorizimi i bankave private dhe hapja e sektorit privat ndaj investimeve të huaja.

Reformat përfshijnë gjithashtu, ndryshime në sektorët e bujqësisë dhe turizmit, si dhe ristrukturimin e aparatit shtetëror.

Në sektorin e turizmit, i cili është goditur rëndë nga sanksionet amerikane, qeveria synon të krijojë mundësi të reja biznesi, përfshirë në zona ku investimet kanë qenë deri tani të kufizuara, si qendra historike e Havanës dhe arkipelagu Los Cayos.

Sektorit privat do t’i lejohet gjithashtu blerja dhe shitja e banesave. Për herë të parë, do të krijohet mundësia, që investitorë kubanë ose të huaj të blejnë aksione në kompani shtetërore, megjithëse autoritetet nuk kanë bërë të ditur ende, se cilat ndërmarrje do të përfshihen.

Administrata amerikane ka shtuar muajt e fundit presionin ekonomik ndaj Kubës përmes një sërë sanksionesh, me synimin për të nxitur reforma politike dhe ekonomike në ishull.

Ende nuk është e qartë nëse masat e reja do të konsiderohen të mjaftueshme nga Uashingtoni.

Presidenti Miguel Díaz-Canel deklaroi se Kuba mbetet e gatshme për dialog me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nënvizoi se plani ekonomik është një vendim sovran dhe nuk lidhet me negociatat mes dy vendeve.

“Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës i dërgojmë këtë mesazh, pa urrejtje, por edhe pa frikë: nëse vërtet dëshironi të ndihmoni popullin kuban, atëherë na lini të jetojmë”, tha ai.

Díaz-Canel i bëri thirrje Uashingtonit të lejojë Kubën, të zhvillojë tregtinë e lirë dhe të mos pengojë importin e ilaçeve dhe karburanteve.

Marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Havanës mbeten të tensionuara, që nga revolucioni kuban i vitit 1959, i udhëhequr nga Fidel Castro.

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci