Kancelari gjerman Merz e përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes SHBA-Iran dhe tha se Gjermania mund të ndihmojë me anije për pastrimin e minave detare dhe sigurimin e lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit
Kancelari gjerman Friedrich Merze përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes SHBA-Iran si dhe armëpushimin dhe garantimin e kalimit të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ai gjithashtu deklaroi se qeveria gjermane do të sqarojë se si mund të ndihmojë në këtë përpjekje, për shembull duke ofruar anije për pastrimin e minave detare ose mbështetje ushtarake për masat për të cilat është rënë dakord. Merz tha se para se të mund të nisë një mision i tillë ushtria gjermane ka nevojë për një mandat ose ndonjë bazë tjetër ligjore nga Bundestagu, duke shtuar se çështja do të diskutohet gjerësisht dhe me durim.
Edhe kryeministri i Luksemburgut, Luc Frieden, përshëndeti “çdo marrëveshje që çon drejt paqes”. Megjithatë ai shtoi se ka ende pjesë që duhen përfunduar. Frieden theksoi se Ngushtica e Hormuzit është e rëndësishme për botën dhe kërkon paqe dhe stabilitet, të cilat, sipas tij, Luksemburgu është i gatshëm të ndihmojë për t’i siguruar.
Marina gjermane bëhet gati për misionin në Hormuz
Marina gjermane ka dislokuar ndërkohë në Detin e Kuq dy anije për një mision të mundshëm në Ngushticën e Hormuzit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes anija për pastrimin e minave „Fulda” dhe anija e furnizimit „Mosel” kaluan Kanalin e Suezit dhe kanë marrë kursin për në portin e Xhibutit, ku pritet të stacionohen për një mision të mundshëm.
Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius tha, në kuadër të një takimi të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, se Gjermania dëshiron të reagojë shpejt nëse lind nevoja. Anijet janë do të jenë pjesë e një misioni të mundshëm për sigurimin e lirisë së lundrimit dhe do të mbështeten nga sisteme çminimi, palombarë dhe forca mbrojtëse.
Për dislokim nuk nevojitet mandat
Sipas Pistoriusit është ende e paqartë nëse vërtet do të ketë një mision për çminimin e Ngushticës së Hormuzit. Shumë gjëra varen nga ecuria e mëtejshme e bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit. Sipas ministrit për dërgimin e anijeve nuk nevojitet mandat nga Bundestagu. Ky veprim bëhet në kuadër të kontributit gjerman në misionin detar të BE-së “Aspides”. Në bordin e dy anijeve ndodhen rreth 140 ushtarë. /DW
