Gjykata e Apelit ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Blerim Isufajt- Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, duke vërtetuar kështu vendimin e Gjykatës Administrative me të cilin ishte refuzuar caktimi i masës së sigurisë- shtyrja e ekzekutimit të vendimit lidhur me shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Refuzohet si e pabazuar ankesa e paditësit Blerim Isufaj nga Prishtina, ndërsa aktvendimi i aktvendimi i Gjykatës Administrative të Kosovës-Departamenti i Përgjithshëm, AP.nr.90/2026, i datës 05.06.2026, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 18 qershor 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndryshe, Gjykata Administrative më 5 qershor 2026 kishte refuzuar kërkesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për caktimin e masës së sigurisë me të cilën kërkohej që të shtyhet ekzekutimi i vendimit lidhur me shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Administrativja ndër të tjera ka theksuar se plotësimi i kësaj pozite nuk paraqet vetëm çështje të interesit individual, por nevojë institucionale për funksionalitet.
Sipas Apelit, ndaj vendimit të Administratives, ankesë ka parashtruar paditësi përmes të autorizuarit të tij, avokatit Artan Qerkini, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale.
Qerkini kishte propozua që të ndryshohet aktvendimi i Gjykatës Administrative dhe të aprovohet propozimi i paditësit si i bazuar, apo i njëjti aktvendim të prishet dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rishqyrtim dhe rivendosje. Kishte kërkuar edhe që të detyrohet e paditura t’ia kompensojë paditësit shpenzimet e procedurës ankimore sipas tarifës së OAK.
Kurse, thuhet se përgjigje në ankesë nuk ka ushtruar pala e paditur.
Kështu, Kolegji i Apelit i përbërë nga gjyqtarët: Hajriz Hoti- kryetar, Valon Totaj dhe Arsim Hamzaj- anëtarë, pasi shqyrtoi shkresat e lëndës, aktvendimin e ankimuar, pretendimet ankimore dhe pas vlerësimit të tyre gjeti se ankesa e paditësit është e pabazuar.
Sipas Apelit, qëndrimi juridik i Gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktvendimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të Ligjit për Procedurën Kontestimore.
Më tej, thuhet se edhe sipas vlerësimit të kolegjit të Apelit, në rastin konkret nuk janë plotësuar në mënyrë komulative kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, të përcaktuara me nenin 100, paragrafi 1.1 dhe 1.2 të Ligjit për Konfliktet Administrative, dhe duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm një përfundim të tillë të Gjykatës së shkallës së parë.
Gjithnjë sipas vendimit të Apelit, Ligji për Konflitet Administrative përcakton se duhet në mënyrë kumulative të plotësohen kushtet për caktimin e masës së sigurisë.
