Të fundit

Vdekja e kadetit policor në aksident, Apeli ua vërteton dënimin dy të akuzuarve

Gjykata e Apelit ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, me të cilin Arton Duraku është dënuar me dënim unik prej 5 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Nezir Duraku me 10 muaj burgim, për aksidentin e ndodhur në nëntor të 2022-ës në të cilin humbi jetën kadeti policor F.Sh.

“Refuzohen si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore – DKR në Pejë, përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar, av. Salih Mekaj, e të dëmtuarit E. Sh. dhe mbrojtësit të akuzuarit Arton Duraku, av. Shefqet Ibrahimi dhe të akuzuarit Nezir Duraku, ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore – DKR në Pejë, PKR.nr.22/2025 i datës 19.11.2025, vërtetohet”, thuhet në vendimin e Apelit të përpiluar më 4 mars 2026, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Pejë, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënim. Ka propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe të akuzuarit të shpallen fajtorë sipas propozimit në aktakuzë dhe t’iu shqiptohen dënime më të ashpra.

Përfaqësuesi i autorizuar i palës së dëmtuar, avokati Salih Mekaj ka parashtruar ankesë për shkak të vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet në drejtim të cilësimit juridik të veprave penale, ashtu që, të akuzuarit të shpallen fajtorë sipas propozimit në aktakuzë dhe t’iu shqiptohen dënime më të ashpra.

I dëmtuari E.Sh., ka parashtruar ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimitm të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit për dënim, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim dhe vendosje.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Arton Duraku, avokati Shefqet Ibrahimi, parashtroi ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe të akuzuarit Arton për veprën e parë penale t’i shqiptohet dënim më i butë, ndërsa për veprën e dytë të lirohet nga akuza apo për këtë pjesë aktgjykimi i akimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Kurse, i akuzuari Nezir Duraku parashtroi ankesë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit përdënim, me propozim që të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar dhe i akuzuari Nezir të lirohet nga akuza apo të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesa e Prokurorisë dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar të aprovohet, ndërsa ankesat e mbrojtësit të të akuzuarit Arton Duraku dhe të akuzuarit Nezir Duraku, të refuzohen si të pabazuara.

Kolegji i Gjykatës së Apelit, me kryetar- Mentor Hajra dhe anëtarët Xhevdet Abazi dhe Valbona Musliu-Selimaj, ka konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale, vërtetimi i gjendjes faktike është i plotë dhe i saktë, dhe se nuk ka shkelje të Ligjit Penal.

Sipas vendimit të Apelit, për ricilësimin e veprave penale Themelorja ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të bindshme kur ka kaluar nga forma e dashjes eventuale në formën e pakujdesisë.

Ky ricilësim, Apeli vlerëson se është mbështetur kryesisht në super-ekspertizën e komunikacionit, e cila ka konstatuar se Arton Duraku, në momentin kritik ka ndërmarrë veprime konkrete për të shmangur aksidentin manovrim me timon por prapë ka ndodhur përplasja si pasojë e tejkalimit të shpejtësisë dhe kalimit në shiritin e kundërt.

Sipas vendimit të Apelit, për veprat e “Mosdhënies së ndihmës”, Apeli ka mbështetur ricilësimin në formën bazë pasi eksperti mjeko-ligjor ka konstatuar se viktima F. Sh., ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes brenda një kohë shumë të shkurtër, si pasojë e gjakderdhjes masive. Prandaj, nuk janë plotësuar kushtet për formën e kualifikuar të këtyre veprave penale.

Gjykata e Apelit vlerëson se megjithëse të akuzuarit e kanë parë viktimën ende gjallë dhe kanë dëgjuar thirrjet e tij për ndihmë, ricilësimi në paragrafin 1 të neneve përkatëse është i drejtë, pasi vdekja ka ndodhur shumë shpejt dhe ndihma e mundshme nuk do të kishte pasur efekt shpëtues.

Sipas vendimit të Apelit, dënimet e shqiptuara janë proporcionale me rrethanat e rastit, duke marrë parasysh si rrethanat lehtësuese ashtu edhe ato rënduese, si fakti që dy të akuzuarit nuk kanë qenë të dënuar më parë, mosha e re e viktimës, fakti që ishte baba i një fëmije të mitur, largimi nga vendi i ngjarjes pa ofruar ndihmë dhe përpjekjet për fshehjen e veprës.

“…për të akuzuarin Nezir Duraku si rrethanë rënduese ka marr shkallën e lartë të dashjes në kryerjen e veprës penale, se i akuzuari është larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos i ofruar ndihmë personit të lënduar, se pas kryerjes së veprës penale ka bërë përpjekje maksimale për ta fshehur kryerjen e veprës penale dhe të akuzuarve iu ka shqiptuar dënimet si në aktgjykimin e ankimuar”, thuhet në vendim.

Sipas vendimit të Apelit, ankesa e të dëmtuarit E. Sh., për baza të tjera ankimore përveç vendimit për dënim, është hudhur si e palejuar në bazë të nenit 381 par. 3 të Kodit të Procedurës Penale.

Në gjykimin e parë, dy të pandehurit ishin dënuar me 15 vjet burgim (së bashku) nga Gjykata Themelore e Pejës.

Vendimin e shkallës së parë e kishte e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, por Gjykata Supreme, kishte miratuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të të dënuarve Duraku ashtu që aktgjykimi i Themelores dhe ai i Apelit ishin anuluar dhe çështja ishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Pastaj, Gjykata Themelore në Pejë në rigjykim më 14 janar 2025, e ka dënuar me 6 vite e 8 muaj burgim të akuzuarin Arton Duraku, kurse me 10 muaj burgim të akuzuarin Nezir Duraku. Rasti është kthyer sërish në rigjykim nga Apeli përmes vendimit të 5 majit 2025, ku më 4 nëntor 2025, Themelorja e dënoi Arton Durakun me dënim unik prej 5 vjet e 6 muaj burigm, ndërkaq Nezir Durakun me 10 muaj burgim.

Ndryshe, në seancën e 3 prillit 2023, dy të akuzuarit Arton dhe Nezir Duraku, e pranuan fajësinë për veprat penale që iu viheshin në barrë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 2 mars 2023, nga Prokuroria Themelore e Pejës, thuhet se i pandehuri Arton Duraku, më 21 nëntor 2022, në fshatin Jashanicë të Komunës së Klinës, duke shkel ligjin mbi trafikun publik i shkakton vdekjen, tani të ndjerit F.Sh.

Sipas aktakuzës, derisa i pandehuri, pa patentë shofer po drejtonte kamionin e markës “Mercedes Atego” i cili ishte i pa regjistruar dhe jo i rregullt teknikisht, me të arritur fshatin e lartcekur, drejtimi Skenderaj – Klinë, nuk e përshtatë shpejtësinë e lëvizjes në raport me kushtet e rrugës dhe e tejkalon atë nga 50 km/h sa ishte e lejuar në mbi 90km/h dhe kalon në të majtë në shiritin e kundërt qarkullues, ku po qarkullonte me automjetin e tij të markës “Opel” i ndjeri F.Sh., ku me pjesën e parë të anës së majtë të rimorkios e godet automjetin “Opel” në pjesën e parë ballore të anës së majtë, pikërisht në pjesën ku ndodhej viktima, i cili nga lëndimet e pësuara si rezultat i aksidentit, ndërron jetë.

Sipas akuzës, me këtë thuhet se i pandehuri Arton Duraku ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370, par. 5 lidhur me par. 1 të KPRK-së.

Ndërkaq, në aktakuzë thuhet se, në vendin dhe kohën e lartcekur, i pandehuri Arton, si ngasës i kamionit “Mercedes Atego”, nuk i ofron ndihmë personit tjetër i cili është lënduar në aksidentin e trafikut të shkaktuar me kamionin e të pandehurit, nga ku edhe rezulton me vdekjen e viktimës F.Sh, ku pas aksidentit të përshkruar, ai e ndalon kamionin dhe së bashku me prindin e tij të pandehurin Nezir Duraku, dalin nga kamioni afrohen afër viktimës por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Dhe me këtë thuhet se i pandehuri ka Arton Duraku ka kryer edhe veprën penale “Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik” nga neni 374, par. 3 të KPRK-së.

Ndërsa, të pandehurin Nezir Duraku, aktakuza e ngarkon se në ngjarjen e përshkruar si më lartë nuk i ofron ndihmë personit tjetër, jeta e të cilit është ndodhur në rrezik të drejtpërdrejtë edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për vete apo tjetrin.

Tutje, thuhet se pasi i pandehuri Arton Duraku, shkakton aksidentin e trafikut me kamion ku i pandehuri Nezir ishte pasagjer në të, dalin nga kamioni, afrohen afër viktimës, por nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohennga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë.

Me këtë rast thuhet se i pandehuri Nezir Duraku ka kryer vepër penale“Mosdhënia e ndihmës” nga neni 188, par.4 i KPRK-së.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci