Të fundit

Sulmi me bombë në Monako, shënjestër oligarku ukrainas- Mbetet i plagosur rëndë së bashku me gruan dhe djalin e tij

Vadim Ermolaev, i cili ndodhet në listën e sanksioneve të Ukrainës, pësoi plagë që i rrezikojnë jetën pas një shpërthimi në një ndërtesë banimi rreth orës 21:00 të së hënës. Partnerja e tij dyshohet se humbi të dyja këmbët nga shpërthimi.

Sipas Prokurorit të Përgjithshëm të Monakos, autori i dyshuar u largua në këmbë drejt Beausoleil, në Francë, pasi aktivizoi një bombë të dyshuar të fshehur në një pako brenda hollit të ndërtesës në rrugën Rue du Révérend Père Louis Frolla.

Policia tha se pajisja shpërthyese përmbante bulona metalikë dhe saçme. Operacioni për kapjen e autorit është ende në vazhdim.

Ermolaev, një manjat i pasurive të paluajtshme, u sanksionua nga Ukraina në vitin 2023 për shitjen e alkoolit në Krimenë e pushtuar nga Rusia.

Një 13-vjeçar, që besohet se është fëmija i tyre, pësoi plagë më të lehta. Të tre të plagosurit u transportuan në një spital në Nicë.

Sulmi ka tronditur Principatën e Monakos, e njohur si një strehë për të pasurit dhe të famshmit, që ka një nga normat më të ulëta të kriminalitetit në botë.

“Ka shumë gjasa që të bëhet fjalë për një sulm terrorist. Është hera e parë në histori, për aq sa di unë, që një akt i tillë ndodh në Principatë”, deklaroi ministri i Shtetit i Monakos, Christophe Mirmand.

Princi Albert II e cilësoi sulmin si “një krim të neveritshëm” dhe “një tronditje për të gjithë komunitetin monakas”.

Qeveria e Monakos bëri të ditur se zona përreth ndërtesës është izoluar dhe se gjashtë apartamentet e tjera të pabanuara në objekt janë siguruar.

Sipas mediave lokale, Ermolaev pësoi djegie dhe u godit nga copëza metalike, ndërsa partneres së tij iu dëmtuan gjymtyrët e poshtme.

Një i ri u dërgua gjithashtu në spital në Nicë me djegie dhe mavijosje. Raportohet se një bulon metalik nga bomba i kishte mbetur i ngulur në këmbë.

Dy persona të tjerë, përfshirë një punonjëse shtëpie dhe kujdestarin e ndërtesës, të cilët panë gruan e plagosur, morën ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë zjarrfikësit duke nxjerrë me barelë një person nga ndërtesa, ndërsa gjendja e tij nuk është bërë e ditur.

Sipas gazetës Le Figaro, Ermolaev, i cili mori shtetësinë qipriote në vitin 2019 dhe hoqi dorë nga shtetësia ukrainase, u transferua në Monako menjëherë pas nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës në vitin 2022

58-vjeçari e krijoi pasurinë e tij në sektorin e pasurive të paluajtshme. Në vitin 2001 ai themeloi kompaninë Alef Estate, e specializuar në ndërtimin dhe menaxhimin e ndërtesave të zyrave, qendrave tregtare dhe banesave në qytetin Dnipro, i cili është goditur vazhdimisht nga sulmet ruse që prej fillimit të luftës.

Megjithatë, vitet e fundit ai është përballur me masa ndëshkuese nga autoritetet ukrainase.

Sipas Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës, sanksionet ndaj tij përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe kufizime në aktivitetet tregtare brenda vendit.

Christophe Mirmand tha se shërbimet e inteligjencës po hetojnë të kaluarën e viktimave dhe do të përcaktojnë nëse persona të tjerë mund të jenë përballë kërcënimeve të ngjashme.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci