Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka mbajtur në fuqi konceptin e shtetësisë sipas lindjes, duke hedhur poshtë urdhrin ekzekutiv të Presidentit Donald Trump. Në një vendim të marrë të martën, shumica e gjykatës vlerësoi se veprimet e Trump-it binin ndesh me Amendamentin e katërmbëdhjetë të Kushtetutës, i cili garanton shtetësinë për pothuajse të gjithë personat e lindur në territorin amerikan.
Amendamenti i katërmbëdhjetë, i shtuar pas Luftës Civile, siguron shtetësinë për “të gjithë personat e lindur ose të naturalizuar në Shtetet e Bashkuara”, me përjashtim të fëmijëve të diplomatëve të huaj. Kryetari i Gjykatës, John Roberts, në vendimin e shumicës, theksoi se ky Amendament u zgjati premtimin për mbrojtje të barabartë çdo personi të lindur në vend.
Urdhri ekzekutiv i nënshkruar nga Trump më 20 janar 2025, synonte të ndalonte marrjen e shtetësisë për fëmijët e emigrantëve pa dokumente dhe ata prindërit e të cilëve nuk ishin rezidentë të përhershëm. Megjithatë, ky urdhër nuk hyri kurrë në fuqi pasi gjykatat e shkallëve më të ulëta bllokuan zbatimin e tij, përpara se Gjykata Supreme ta shpallte atë të pavlefshëm në çështjen Trump kundër Barbara.
Në vendimin me gjashtë vota pro dhe tri kundër, gjykata u mbështet në precedentin e vitit 1898, United States kundër Wong Kim Ark. Kryetari Roberts shkroi se gjykata nuk sheh asnjë arsye për të ndryshuar qëndrimin e saj 128-vjeçar, i cili garanton shtetësinë për të gjithë fëmijët e lindur në SHBA. Tre gjyqtarë konservatorë, Clarence Thomas, Neil Gorsuch dhe Samuel Alito, votuan kundër këtij vendimi.
Pas vendimit, Trump deklaroi në rrjetet sociale se do të kërkojë një rrugë tjetër përmes legjislacionit në Kongres për të kufizuar shtetësinë sipas lindjes. Ndërkohë, të martën, Gjykata Supreme mori vendime edhe për çështje të tjera, duke përfshirë mbështetjen e ndalimit shtetëror për pjesëmarrjen e vajzave transgjinore në ekipet sportive të shkollave publike dhe heqjen e kufizimeve për shpenzimet financiare të partive politike.
Burimi: aljazeera.com
