Lionel Messi, 39 vjeç dhe 1.70 metra i gjatë, ka shënuar gjashtë gola në Kupën e Botës, duke barazuar numrin e golave të francezit Kylian Mbappé. Pavarësisht se nuk është më i shpejtë dhe është më i shkurtër se shumica e mbrojtësve kundërshtarë, ai mbetet një nga lojtarët më efektivë në turne.
Një studim i kryer nga profesor Gert-Jan Pepping dhe ligjëruesi Thomas McGuckian nga Australian Catholic University, tregon se avantazhi i Messiut vjen nga ajo që ata e quajnë “skanim vizual” – aftësia për të vëzhguar fushën përpara se topi të arrijë tek ai. Sipas tij, nëse një lojtar fillon të vrapojë pak më herët se të tjerët, ai duket më i shpejtë.
Kërkimi ka monitoruar lëvizjet e kokës së lojtarëve përmes sensorëve dhe ka konstatuar se ata që shikojnë më shpesh përreth në sekondat para marrjes së topit, janë më të shpejtë në pasim dhe më të prirur për të bërë lëvizje që kërcënojnë kundërshtarin. Në rastin e Messiut, skanimi i vazhdueshëm i hapësirës e lejon atë të parashikojë pozicionet e mbrojtësve dhe të shfrytëzojë hapësirat e lira.
Sipas autorëve të studimit, suksesi i Messiut nuk bazohet në atributet fizike, por në perceptimin e hershëm dhe aftësinë për të lexuar lojën përpara se të prekë topin. Kjo tregon se futbolli shpërblen inteligjencën taktike dhe vëmendjen.
Të dhënat sugjerojnë se zakoni i skanimit të fushës mund të trajnohet që në moshë të re. Përderisa për një shekull është investuar kryesisht në përgatitjen fizike të lojtarëve, studimi vë në dukje se aftësia për të vëzhguar fushën është një element thelbësor që mund të zhvillohet, duke i lejuar lojtarët të dominojnë pavarësisht gjatësisë apo shpejtësisë fizike.
Burimi: independent.co.uk
