Një hulumtim i Paparacit i vitit 2023 kishte zbuluar se si ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj kishte pranuar mbi 1 milionë e gjysmë ero në llogari bankare dhe i kishte tërhequr parat e gatshme, duke forcuar edhe më shumë dyshimet për lidhjet me mafinë energjetike të Serbisë.
Krejt këto dhe hetimi ndaj tij për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë, kanë ndodhur në kohën kur Vetëvendosje ishte ardhur në pushtet.
Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.
Rreth 900 mijë euro që kompania e tij “MB Consulting” i kishte shënuar si të hyra nga “GEN doo” në Beograd, Martin Berishaj i kishte tërhequr personalisht përmes xhirollogarisë së tij bankare mes viteve 2016-2021.
Mirëpo Artane Rizvanolli, ministre në detyrë e Ekonomisë, ka thënë se nuk është marrë shumë me rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i dyshuar për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë, pasi që, siç thekson ajo, rasti ka ndodhur para se ajo të vinte në pushtet.
“Rasti i Martin Berishajt, nuk i di detajet, duke qenë se edhe arsyeja kryesore se pse nuk i di detajet e nuk jam interesuar shumë, është se rasti që po hetohet, ka të bëjë me periudhën para qeverisjes tonë”, deklaroi Rizvanolli në emisionin EURO që transmetohet në televizionin 7.
Duke folur për akuzat se Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është e kapur nga “mafia energjetike”, Rizvanolli theksoi se “kjo është e pavërtetë”, pasi që, sipas saj, duhet të prezantohen “faktet” për këtë.
“Natyrisht që kjo është e pavërtetë dhe ata që flasin duhet të prezantojnë së paku një gjysmë fakti për këtë që po e thonë. Nuk mund të dalësh dhe të shpifësh një gjë për dikë e aq më tepër për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Çka është kjo punë kështu? Nëse flasim për importin, sepse janë disa individë të LDK-së që po flasin për këtë punë, në vitin 2017, në kohën e qeverisjes Mustafa, ka qenë koha rekord e importit të energjisë elektrike. 22% e konsumit të përgjithshëm ka qenë import i energjisë elektrike dhe shifra të tilla rrallë që përsëriten më. Atëherë konsumi ka qenë shumë më i ulët, ndërsa sot shtohen mbi 20 mijë njësorë të rinj në vit të energjisë elektrike”, shtoi ajo.
Më 26 qershor të vitit 2025, Berishaj ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale në Prishtinë si i dyshuar nga organet e rendit për shpëlarje parash dhe deklarim të rremë të pasurisë.
Për të njëjtat vepra penale, ai ishte intervistuar edhe në mars të vitit 2024.
Për Berishajn, fillimisht kishin raportuar mediat, mirëpo më pas, vetë ai, para një komisioni parlamentar në Kuvendin e Kosovës, e kishte pranuar se përderisa ka qenë ambasador ishte paguar nga kompania që merret me energji elektrike, GEN-I – dega në Beograd.
