Adam Aron, drejtori ekzekutiv i AMC Theatres, ka publikuar të premten në mbrëmje në rrjetin social X një përshkrim të hollësishëm të dasmës së Taylor Swift dhe Travis Kelce, e cila u mbajt në Madison Square Garden. Postimi, i cili më pas u fshi, theksonte se ambienti nuk ngjante aspak me arenën e njohur sportive.
Sipas përshkrimit të Aron, hapësira ishte transformuar tërësisht, ku dyshemetë, muret dhe tavanet ishin mbuluar me ngjyrë pjeshke dhe të bardhë. Në ambient ishin vendosur fotografi të mëdha të Swift dhe Kelce, duke dokumentuar rritjen e tyre nga mosha njëvjeçare deri në adoleshencë.
Një pjesë e Madison Square Garden ishte shndërruar në një kopsht të stilit rural, të dekoruar me ngjyrë të gjelbër dhe të bardhë, ku ishin vendosur lule të vërteta dhe artificiale. Ceremonia u shoqërua me muzikë romantike dhe tinguj violine e violonçeli.
Ai gjithashtu vlerësoi betimet e çiftit, duke i cilësuar ato si argëtuese, personale dhe emocionale, ndërsa uroi dyshen për jetë të lumtur.
Lidhja e Aron me Swift daton nga viti 2023, kur ai mundësoi shfaqjen e turneut “Eras Tour” në kinematë e AMC-së në mbarë botën, duke gjeneruar 261 milionë dollarë. Ndërkohë, selia e AMC-së ndodhet në Kansas City, qyteti ku luan skuadra e Travis Kelce, Kansas City Chiefs.
Arsyeja e fshirjes së postimit mbetet e paqartë. Megjithatë, Variety raporton se ftesat për dasmën ishin të shoqëruara me marrëveshje konfidencialiteti (NDA), çka lë të kuptohet se Aron mund të ketë pasur rezerva për ndarjen e këtyre detajeve publike.
Burimi: variety.com
