Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u takua sot me sekretarin e përgjithshëm të Interpolit, Valdecy Urquiza, me të cilin diskutoi për përmirësimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, siç pretendoher, për “luftën kundër krimit të organizuar”, si dhe për iniciativën që Serbia të bëhet selia e zyrës rajonale të Interpolit.
Vuçiqi, sot ka zhvilluar një bisedë me sekretarin e përgjithshëm të Interpolit, Valdecy Urquiza, për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Serbisë dhe kësaj organizate ndërkombëtare policore në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve të sigurisë, ka kumtuar presidenca e Serbisë, transmeton Paparaci.
Siç ka deklaruar Vuçiqi pas takimit, vëmendje e veçantë iu kushtua përmirësimit të shkëmbimit të informacionit, luftës kundër krimit kibernetik, krimit financiar, trafikimit të qenieve njerëzore dhe kontrabandës së narkotikëve, si dhe forcimit të kapaciteteve të institucioneve vendase përmes bashkëpunimit ndërkombëtar policor.
Vuçiqi ka pretenduar se organet e sigurisë së Serbisë po arrijnë “rezultate të rëndësishme” në bashkëpunimin ndërkombëtar policor.
Ai ka theksuar gjithashtu se e gëzon, siç u shpreh, “mbështetja e konsiderueshme e një numri të madh shtetesh” për iniciativën që Serbia të bëhet selia e zyrës rajonale të Interpolit.
“Kjo do të ishte një njohje e rëndësishme për vendin tonë dhe një konfirmim i rolit tonë në ruajtjen e sigurisë rajonale dhe ndërkombëtare”, ka deklaruar Vuçiqi.
Ai ka shtuar se beson që puna e përbashkët e Serbisë dhe Interpolit do të kontribuojë në përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, në dobi të qytetarëve dhe sigurisë së përbashkët.
Për takimin mes presidentit të Serbisë dhe sekretarit të përgjithshëm të Interpolit u njoftua edhe nga kabineti i presidentit serb, ku u theksua se biseda ishte përqendruar në vazhdimin e forcimit të bashkëpunimit në fushën e sigurisë policore ndërkombëtare.
Iniciativën për hapjen e Zyrës Rajonale të Interpolit për Evropën Juglindore me seli në Beograd, autoritetet serbe e promovojnë që nga viti i kaluar. Në fund të nëntorit të vitit 2025, ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka pretenduar pas mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit në Marakesh, se Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë do të paraqesë kandidaturën për hapjen e kësaj zyre.
Çështjet e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë ndër temat më të pranishme në opinionin publik në Serbi. Komisioni Evropian, në raportet e tij prej vitesh, thekson nevojën për rezultate më bindëse në hetime, ndjekje penale dhe përfundimin me vendime të formës së prerë të proceseve kundër grupeve kriminale të organizuara dhe korrupsionit të lartë.
Pikërisht lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përgjegjësia e institucioneve dhe sundimi i ligjit janë ndër kërkesat kryesore të protestave studentore njëvjeçare në të gjithë vendin, të cilat nisën pas shembjes së strehës prej betoni të rinovuar të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.
Në atë ngjarje humbën jetën 14 persona, kryesisht të rinj, dhe më pas edhe dy persona të tjerë, ndërsa një grua e re mbeti e gjallë me një invaliditet të rëndë dhe të përhershëm./Paparaci.com
