Autoritetet hungareze kanë sekuestruar disa armë të tipit kallashnikov të fshehur brenda një autobusi nga Kosova që po transportonte udhëtarë të martën.
Doganierët hungarezë gjetën disa armë të fshehur brenda një kutie zërimi, tregojnë pamjet e publikuara nga Dogana e Hungarisë.
Armët u zbuluan gjatë skanimit të autobusit, thanë autoritetet hungareze në njoftim.
“Pas hapjes së altoparlantit, u gjetën disa lloje pushkësh sulmuese me mbështetëse krahu të palosshme (AK dhe Zastava), si dhe karikatorët përkatës”, tha Dogana e Hungarisë.
“Meqë pronari i altoparlantit nuk ndodhej në autobus, punonjësit e doganës paraqitën kallëzim kundër një autori të panjohur në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Csongrád-Csanád për keqpërdorim të armës së zjarrit”.
Sipas pamjeve të publikuara, në autobusin e udhëtarëve është i vendosur mbishkrimi i kompanisë “Meti Comerc”, por asaj nuk i përkisnin armët.
Kompania “Meti Comerc” Sh.P.K., e cila merret me transportin e udhëtarëve, ka bazën në Gjakovë.




