Pas certifikimit zyrtar të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, skena politike hyn në fazën e krijimit të institucioneve të reja.
Me përmbylljen e procesit zgjedhor, pritet të nisin negociatat ndërmjet partive politike për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe më pas zgjedhjen e Presidentit të vendit.
“Front Online” ka kontaktuar zyrtarë të partive politike për t’i pyetur nëse kanë filluar të flasin për mundësinë e bashkëpunimeve ndërpartiake dhe hapat që do të pasojnë në procesin e formimit të institucioneve.
Deputetja e rizgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Labinotë Demi-Murtezi ka thënë se deri më tani nuk ka një qëndrim konkret nga Kryesia e partisë lidhur me bashkëpunimet e mundshme ndërpartiake.
Sipas saj, pas certifikimit të rezultateve pritet që shumë shpejt të nisin diskutimet për hapat e ardhshëm politikë.
“Deri më tani nuk ka qëndrim konkret nga Kryesia e Lëvizjes. Meqenëse tek sot u bë certifikimi, sigurisht shumë shpejt edhe fillojnë bisedat për bashkëpunime të mundshme ndërpartiake”, ka deklaruar Demi-Murtezi.
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni u shpreh se partia ende nuk ka zhvilluar takime në kryesi për të diskutuar lidhur me një bashkëpunim të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.
Hyseni ka thënë se së shpejti partia do të dal me qëndrim.
“S’kemi takime ende me kryesinë për të diskutuar këtë çështje, por shpejt dalim me një qëndrim. Këto janë vendime që merren nga strukturat e partisë”, ka deklaruar Hyseni.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka deklaruar se partia ku bënë pjesë ai, nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket mundësisë së bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje.
Berisha ka thënë se AAK-ja mbetet në të njëjtën linjë politike që ka mbajtur edhe më herët.
“S’kemi qëndrim për të bashkëpunuar me LVV. Qëndrimi jonë është si i mëhershëm, nuk e ndryshojmë”,deklaroi Berisha.
Ditë më parë ka pasur një reagim edhe nga PDK-ja lidhur me bashkëpunimin e mundshëm me Vetëvendosjen.
Deputetja e rizgjedhur e Partisë Demokratike të Kosovës PDK, Ariana Musliu-Shoshi pati deklaruar se partia ku bënë pjesë ajo ende nuk ka zhvilluar diskutime dhe nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
“Ende nuk kemi diskutime e as vendim”, ka thënë shkurt Musliu-Shoshi.
Sipas rezultateve të certifikuara të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 53 mandate në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës do të përfaqësohet me 22 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar shtatë mandate.
