Të fundit

Flet nëna e 17-vjeçares që u rrah nga tre vajzat në Fier: E kam strehuar te të afërmit, shteti heshti për një muaj

Familjarët e 17-vjeçares nga Fieri, e cila dyshohet se u dhunua nga tre bashkëmoshatare brenda një banese, kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave ndaj autorëve. Ata ngrenë gjithashtu akuza për mungesë reagimi nga institucionet përgjegjëse, duke pretenduar se denoncimi i bërë menjëherë në polici nuk u shoqërua me veprime konkrete për javë të tëra.

Sipas familjes, e mitura u dërgua fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit me shenja të dukshme dhune dhe hematoma në trup. Por familjarët pretendojnë se nga institucioni shëndetësor nuk pati një njoftim të menjëhershëm për organet ligjzbatuese.

Nëna e 17-vjeçares tregon se mësoi për gjendjen e vajzës vetëm pasi bashkëshorti e telefonoi duke i thënë se ajo ndodhej në spital.

“Kur e pashë vajzën, kishte buzën e çarë dhe shenja të forta dhune pas veshëve. E pyeta se çfarë kishte ndodhur dhe ajo më tregoi se kishte qenë në spital, ku i kishin bërë mjekimin dhe më pas e kishin lënë të largohej”, rrëfen nëna.

Pas denoncimit në Policinë e Fierit më 8 qershor, 17-vjeçarja është marrë në pyetje në prani të një psikologeje. Efektivët kanë dokumentuar edhe shenjat e dhunës në trupin e saj, ndërsa familjarët thonë se iu premtua se çështja do të trajtohej me përparësi.

Megjithatë, sipas tyre, pas largimit nga komisariati nuk pati më asnjë komunikim zyrtar.

“Na thanë se çështja do të zgjidhej të nesërmen. Kaluan ditë dhe askush nuk na kontaktoi. Prisnim të merrnim informacion si prindër, por nuk morëm asnjë përgjigje”, shprehet nëna e vajzës.

Një tjetër shqetësim i familjes lidhet me një video që, sipas deklarimit të 17-vjeçares, ishte regjistruar gjatë dhunës nga vetë autorët. Familjarët pretendojnë se për javë të tëra nuk u ndërmorën veprime për sekuestrimin e telefonave celularë dhe sigurimin e provave.

Nëna e vajzës tregon se është drejtuar disa herë në polici për të mësuar ecurinë e hetimeve, por pa marrë informacion të qartë.

“Pyeta për oficerin që kishte marrë denoncimin dhe për prokurorin që kishte çështjen, por nuk mora përgjigje konkrete. Kanë kaluar javë dhe ende nuk kam një zgjidhje”, deklaron ajo.

Familja pretendon se për rreth një muaj e gjysmë nuk ka pasur kontakt nga policia, prokuroria apo shërbimet sociale, duke thënë se mbështetja institucionale ka munguar në një moment të vështirë për të miturën.

Sipas nënës, reagimi i institucioneve u shtua vetëm pasi rasti u bë publik në media. Ndërkohë, 17-vjeçarja është larguar nga banesa e saj dhe po qëndron te të afërmit, për shkak të frikës dhe pasigurisë.

Familjarët kërkojnë që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë, ndërsa kërkojnë verifikim edhe për mënyrën se si institucionet trajtuan denoncimin fillestar.

“Dua drejtësi për vajzën time. Sot i ndodhi asaj, nesër mund t’i ndodhë një fëmije tjetër. Vajza ime po shkonte të ndiqte një kurs, nuk po bënte asgjë të gabuar. Ajo duhet të mbrohej dhe jo të dhunohej”, është shprehur nëna

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci