Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç, e cila u shpreh publikisht se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviçit në vitin 1998, do ta spastronte etnikisht Kosovën, shkruan Insajderi.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se kjo gjuhë e trashëguar nga epoka e Millosheviçit vetëm sa e rrit gatishmërinë e shqiptarëve për ta mbrojtur lirinë dhe shtetësinë e tyre.
“Kosova kurrë nuk ka qenë zemra e Serbisë. Kosova ka qenë dhe mbetet fundi i Serbisë dhe kapitullimi i saj. Kjo gjuhë millosheviçiane vetëm sa e forcon vetëdijen tonë kombëtare si një komb i lirë dhe i gatshëm ta mbrojë këtë shtet dhe këtë liri nga mendësia gjenocidale, e cila shihet që është bartur brez pas brezi”, ka shkruar Haradinaj.
Ai e ka shkruar se “Kosova është zemra e secilit shqiptar”.
Deklarata e ministres serbe Paunoviç ka nxitur reagime të shumta e të njëpasnjëshme nga figura të njohura politike dhe publike në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët e kanë dënuar këtë qasje si dëshmi të faktit se mendësia e viteve të ’90-ta vazhdon të jetë e pranishme në strukturat qeverisëse të Beogradit.
