Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, tha sot se nuk ka vend në Evropë për retorikë që justifikon dhe mbështet spastrimin etnik, duke komentuar deklaratën e ministres serbe Snezhana Paunoviq se ajo do të kishte kryer spastrim etnik në Kosovë në vitin 1999 po të ishte në vend të ish-presidentit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq.
Siç tha ajo, kjo deklaratë është kundër detyrimeve që Serbia ka pranuar në kuadër të dialogut nën lehtësimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ajo tha se BE-ja pret që zyrtarët të përmbahen nga retorika nxitëse, si dhe të kontribuojnë në besimin e ndërsjellë dhe stabilitetin rajonal.
Kur u pyet se çfarë do të thotë në praktikë kur thuhet se nuk ka vend në Evropë për mohimin e krimeve, për mohimin e gjenocidit, për glorifikimin e kriminelëve të luftës, Anita Hipper tha se mesazhi është i qartë – se nuk ka vend për një retorikë të tillë.
