Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se Kosovës i duhen institucione funksionale dhe jo një pushtet që, sipas tij, zvarrit proceset dhe e thellon krizën politike.
Këto komente Hamza i bëri pas një takimi me deputetët e zgjedhur të PDK-së të martën, ku u diskutua për situatën aktuale politike dhe nevojën për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja.
Sipas njoftimit të PDK-së, në takim u vlerësua se procesi i konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve duhet të përmbyllet pa vonesa të mëtejshme.
“Vazhdimi i bllokadës institucionale nga ana e partisë në pushtet, pas një periudhe të gjatë pasigurie politike dhe zgjedhjesh të njëpasnjëshme, vetëm sa e thellon krizën, pengon zhvillimin ekonomik dhe dëmton interesin e qytetarëve dhe të shtetit”, thuhet në njoftim.
Deputetët e zgjedhur të PDK-së ritheksuan se vendit i nevojiten institucione të afta për t’u përballur me sfidat aktuale, me fokus në zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, forcimin e shtetit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
PDK-ja i bëri thirrje subjektit politik që ka dalë i pari në zgjedhje që të marrë pa vonesë përgjegjësinë kushtetuese dhe politike për zhbllokimin e procesit të krijimit të institucioneve.
Sipas kësaj partie, Kosovës i duhet urgjentisht stabilitet politik, institucione funksionale dhe vendimmarrje që u përgjigjet pritjeve të qytetarëve, e jo zvarritje të proceseve që, siç thuhet në njoftim, dëmtojnë interesin publik dhe të ardhmen e vendit.
