Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është mbushur pas plot pesë vitesh vakancë.
Kryeprokurori i ri i Shtetit, Zejnullah Gashi, i dekretuar të martën për këtë detyrë nga u.d. presidentja Albulena Haxhiu, ka mbërritur në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit në Prishtinë.
Në orën 11:00, në një ceremoni zyrtare, Gashi pritet të pranojë detyrën nga deri më tani u.d. kryeprokurori Agron Qalaj.
Pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është plotësuar me ushtrues detyre që nga viti 2021, pas mbarimit të mandatit të ish-kryeprokurorit Aleksandër Lumezi.
Konkursi përmes së cilit Zejnullah Gashi u përzgjodh për pozitën e kryeprokurorit u kundërshtua nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.
Blerim Isufaj është ankuar në Gjykatën Kushtetuese kundër konkursit, sepse beson se Këshilli Prokurorial nuk ka pasur bazë ligjore të hapë konkurs të ri për kryeprokuror të Shtetit, duke pretenduar se ende është në fuqi vendimi i saj nga nëntori 2023 për nominimin e tij në këtë pozitë.
Por, Haxhiu tha të martën se vendosi ta dekretojë Gashin pas shqyrtimit “të kujdesshëm dhe gjithëpërfshirës të materialeve të dorëzuara, duke përfshirë po ashtu informacionet relevante të siguruara nga institucionet kompetente të sigurisë dhe raportet e organizatave që kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes”.
Ndërkohë, Këshilli Prokurorial tha se me nënshkrimin e dekretit nga Haxhiu, është përmbyllur procedura kushtetuese dhe ligjore të emërimit të tij në krye të sistemit prokurorial të Kosovës. /Paparaci.com
