Ish-deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj ka thënë se brenda vetëm dy ditësh, Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë Albin Kurti ka dëshmuar edhe një herë se synimi i tyre nuk është forcimi i institucioneve të pavarura, por nënshtrimi i plotë i tyre ndaj pushtetit politik.
Selmanaj ka renditur edhe disa vendime që janë marrë.
Zejnullah Gashi u dekretua Kryeprokuror, një veprim që kritikohet si vendosje e sistemit prokurorial nën ndikimin e pushtetit.
Feride Podvorica u emërua ushtruese e detyrës së Sekretares së Kuvendit, duke u cilësuar si zgjerim i kontrollit mbi administratën parlamentare.
Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), Nora Kelmendi, anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, u rendit kandidatja më e poentuar për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv.
Postimi i tij i plotë:
Vetëm brenda dy ditësh, Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosje ka dëshmuar edhe një herë se synimi i tyre nuk është forcimi i institucioneve të pavarura, por nënshtrimi i plotë i tyre ndaj pushtetit politik.
Brenda 48 orëve:
– Sistemi prokurorial u vu nën ndikimin e pushtetit, me dekretimin e Zejnullah Gashit si Kryeprokuror.
– Administrata e Kuvendit u vendos nën kontroll, përmes emërimit të Feride Podvoricës si ushtruese e detyrës së Sekretares së Kuvendit.
– Në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), si kandidatja më e poentuar për pozitën e Drejtorit Ekzekutiv u rendit Nora Kelmendi, anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kur këto zhvillime shihen së bashku, na forcojnë bindjen për tendencën e vazhdueshme për përqendrimin e ndikimit politik mbi çdo institucion shtetëror. E megjithatë, opozita vazhdon të heshtë.
Në demokraci, heshtja përballë përqendrimit të pushtetit nuk është neutralitet. Ajo rrezikon të kthehet në miratim të heshtur.
Nëse opozita nuk ngre zërin sot, nesër mund të jetë tepër vonë. Demokracia mbrohet me reagim, me përgjegjësi dhe me veprim, e asesi me heshtje.
