Të fundit

Rubio: Irani nuk është serioz për diplomacinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi se sfidimi i lirisë së lundrimit nëpër Ngushticën e Hormuzit nga Irani kërcënon jo vetëm tregtinë globale, por po ashtu rrezikon të krijojë një precedent të rrezikshëm për rrugët e kontestuara detare në Azi.

Duke iu adresuar ministrave nga Shoqata e Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN) në Manila më 22 korrik, Rubio tha se Shtetet e Bashkuara mbesin të përgatitura për të negociuar me Iranin, por e akuzoi Teheranin se nuk po respekton zotimet e mëhershme dhe se nuk është serioz për diplomacinë.

“SHBA-ja është gjithmonë e përkushtuar për diplomaci”, tha Rubio më 22 korrik. “Ne jemi mendjehapur dhe gjithmonë kemi vullnet për t’u angazhuar dhe për të negociuar një marrëveshje dhe për të zgjidhur dallimet dhe kjo vlen edhe për rastin me Iranin”.

“Problemi me të cilin po ballafaqohemi tani është se ata nuk janë seriozë për bisedime. Nëse ata janë seriozë, edhe ne jemi seriozë”, shtoi Rubio. “Nëse nuk janë, ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur interesat tona dhe po ashtu interesat e aleatëve tanë”.

Deklaratat e Rubios vijnë në mes të këmbimeve ushtarake dhe SHBA-ja ka kryer sulme duke shënjestruar infrastrukturën ushtarake të lidhura me kërcënimet ndaj tregtisë detare.

Mesazhi i tij kryesor për qeveritë e Azisë Juglindore ishte se veprimet e Iranit shtrihen shumë përtej Gjirit Persik.

Ai argumentoi se lejimi i Teheranit për të diktuar lundrimin nëpër Ngushticën e Hormuzit do të minonte një nga parimet themelore mbi të cilat mbështetet tregtia ndërkombëtare: lirinë e lundrimit.

“Irani kërkon të drejtën, të cilën nuk e ka sipas asnjë mekanizmi ekzistues juridik, për të kontrolluar kalimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit”, tha Rubio.

Duke e vlerësuar këtë rrugë ujore si një korridor ndërkombëtar të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare, Rubio paralajmëroi se pranimi i kërkesave të Iranit do të inkurajonte sjellje të ngjashme edhe në pjesë të tjera të botës.

“Nëse krijojmë një precedent në Lindjen e Mesme, ku një shtet vendos se do të kontrollojë një rrugë ujore ndërkombëtare, do të vendosë tarifë kalimi dhe nëse nuk e paguani, do t’ju shkatërrojë anijet, atëherë kemi krijuar një precedent shumë të rrezikshëm, i cili do të përsëritet edhe në pjesë të tjera të botës, përfshirë edhe këtë rajon”, u shpreh kryediplomati amerikan.

Rubio argumentoi se mosmarrëveshja lidhur me Ngushticën e Hormuzit ka pasoja të drejtpërdrejta për Azinë.

“Nuk kam nevojë t’ia shpjegoj këtij rajoni rëndësinë e lirisë së lundrimit”, tha Rubio. “Ajo që është në rrezik nuk është thjesht çështja e asaj që po ndodh në Ngushticën e Hormuzit”.

Ai tha se kjo krizë kërcënon “ekonominë globale” dhe paralajmëroi se “rregullat mbi të cilat janë mbështetur 150 vjet tregti dhe këmbime ndërkombëtare janë po ashtu nën kërcënim dhe kjo nuk mund të lejohet të ndodhë”.

Pa veprime, tha Rubio, “20 për qind e furnizimit botëror me energji po mbahet peng nga një regjim i papërgjegjshëm, që kërkon një autoritet të cilin nuk e ka sipas asnjë përkufizimi të së drejtës ndërkombëtare”.

Përveç çështjes së Iranit, Rubio u përpoq t’i siguronte qeveritë e Azisë Juglindore se angazhimi i Uashingtonit në rajon do të mbetet prioritet, pavarësisht konflikteve në pjesë të tjera të botës.

Ai e cilësoi ASEAN-in si “mekanizmin kryesor” të Amerikës për angazhimin në rajon dhe tha se “partneriteti i Uashingtonit me secilin prej vendeve tuaja dhe me rajonin në tërësi është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara. Ne nuk do të heqim dorë kurrë nga ai”.

Rubio po ashtu u zotua se marrëdhëniet e SHBA-së me fuqitë e tjera të mëdha “nuk do të ndërtohen kurrë në dëm të aleancave tona” apo të partnerëve rajonalë.

Ai njoftoi për plane për ta thelluar angazhimin e SHBA-së në rajon përmes 2.5 miliardë dollarëve investime strategjike të Qeverisë amerikane dhe 1.5 miliard dollarëve të tjerë përmes Korporatës Amerikane për Financimin e Zhvillimit, të destinuara për infrastrukturën e aviacionit, sigurinë energjetike, zinxhirët e furnizimit dhe sektorë të tjerë kyç.

Rubio premtoi po ashtu pothuajse 130 milionë dollarë ndihmë për rajonin lidhur me operacionet e çminimit dhe largimin e mjeteve të pashpërthyera nga konfliktet e kaluara në Azinë Juglindore./rel

Video nga Paradoks

VV SHOW-Pushteti nuk ka problem Vita-n, por pronarin -Historia e marrëdhënieve të Kurtit me Devollët

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci