Gjiganti gjerman i automobilave, Volkswagen, ka raportuar një rënie të ndjeshme të fitimeve dhe ka ulur parashikimet për të ardhurat vjetore. Kompania po përballet me një rënie të shitjeve në tregun kinez, ndërsa po zbaton një program të gjerë të shkurtimit të shpenzimeve që përfshin eliminimin e deri në 100,000 vendeve të punës.
Në tremujorin e dytë, fitimi operativ i Volkswagen-it ra për 9.5% në 3.5 miliardë euro, duke mbetur nën pritshmëritë e analistëve. Kompania tani pret që shitjet globale të bien deri në 3% këtë vit, një ndryshim i madh krahasuar me parashikimin e mëparshëm për një rritje prej 3% mbi shifrën e vitit të kaluar prej 321.9 miliardë euro.
Këshilli mbikëqyrës i kompanisë ka refuzuar planin e shefit ekzekutiv, Oliver Blume, për mbylljen e katër fabrikave në Gjermani. Megjithatë, prodhuesi ka konfirmuar rritjen e objektivit për shkurtimin e vendeve të punës në 100,000, që është dyfishi i numrit të dakorduar më parë me sindikatat.
Volkswagen, që punëson mbi 650,000 persona në markat e saj si Audi, Bentley, Skoda, Seat, Porsche dhe Cupra, ka shënuar një rënie prej 6.3% në dërgesat globale të automjeteve gjatë gjysmës së parë të vitit. Shitjet në Kinë kanë rënë për më shumë se 31%, ndërkohë që tregjet në Evropë dhe Amerikën e Veriut kanë shënuar rritje.
Ai theksoi se programi i ristrukturimit është thelbësor për ta bërë kompaninë më inovative dhe më efikase. Pas publikimit të rezultateve, çmimi i aksioneve të Volkswagen-it ra për 1.5%.
Sektori i automobilave po përballet me sfida të ngjashme, ku edhe BMW ka ulur parashikimet e fitimit për këtë vit. Kompania BMW ka përmendur si faktorë ndikues vështirësitë në tregun kinez dhe ndërprerjet e shkaktuara nga lufta në Iran.
Burimi: theguardian.com
