Ka dështuar mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës ku pritej të vendosej për tërheqjen e dorëheqjeve të ofruara nga ish-gjyqtarët serbë.
Tre anëtarë kanë lëshuar sallën, çka e pamundësoi vazhdimin e mbledhjes.
Tensionet u rritën pas mosdakordancës mes anëtarëve për pikën e nëntë që ishte ajo e njoftimit të ish-gjyqtarëve serbë për tërheqjen e dorëheqjeve të ofruara më 2022.
Anëtari Besnik Bislimaj kërkoi që të shtyhej shqyrtimi i kësaj pike pasi kërkoi dokumentacionin e plotë të dorëheqjeve të ish-gjyqtarëve serbë.
“Propozoi të përkthehen në gjuhën shqipe dokumentacioni”, tha ai.
Pas diskutimeve të tensionuara, anëtari tjetër Ahmet Imami e bojkotoi seancën. Praktikën e tij e ndoqën edhe anëtarët Besnik Bislimaj dhe Fahret Vellija.
Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, kryesuesi Rrustem Thaqi njoftoi për shtyrjen e mbledhjes.
Rreth dy orë para se të mblidheshin për shqyrtimin e tërheqjes së dorëheqjeve të ish-gjyqtarëve serbë nga veriu, 11 anëtarët e KGJK-së u përballën me presione të jashtëzakonshme, publike, nga përfaqësuesja më e lartë në Republikën e Kosovës, presidentja.
Ushtruesja e detyrës së presidentes u kërkoi atyre që të refuzojnë dorëheqjet e ish-gjyqtarëve serbë dhe të vendosin në të njëjtën linjë me Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili dy ditë më parë refuzoi tërheqjet e dorëheqjeve të ish-prokurorëve serbë.
Në të kundërtën, ajo i paralajmëroi anëtarët dhe kryesuesin e KGjK-së se do të përfshiheshin në “abuzim të përgjegjësive” të tyre.
“Sytë tanë sot janë te Këshilli Gjyqësor i Kosovës, sepse nëse KGjK vepron në kundërshtim me Ligjin atëherë këtu kemi të bëjmë me një precedent shumë të rrezikshëm”, tha Haxhiu në një konferencë për media të premten.
Prokurorë, gjyqtarë, policë e kryetarë të komunave në veri patën dhënë dorëheqje në fund të vitit 2022, si shenjë revolte ndaj zhvillimeve në këtë pjesë të Kosovës.
Derisa dorëheqjet e policëve ishin pranuar, ato të prokurorëve e gjyqtarëve ishin lënë pezull deri tash.
