Kompania VITA ka bërë të ditur se sot ka dorëzuar kërkesë në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, duke kërkuar që këto institucione të marrin mostra paralele të produkteve “Vita” dhe “Holla”.
Sipas kompanisë, kërkesa vjen si pasojë e vonesës në publikimin e rezultateve të analizave laboratorike nga institucionet përgjegjëse.
Në reagimin e saj, VITA thotë se ende nuk i ka pranuar rezultatet e analizave, pavarësisht kërkesave të përsëritura drejtuar Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).
Reagimi i plotë:
Vonesa e rezultateve: VITA kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë Speciale dhe Policisë për marrjen e mostrave paralele te produkteve VITA dhe Holla.
Nëpërmjet kësaj komunikate, njoftojmë opinionin publik, që sot, më datë 24.07.2026, kemi paraqitur Kërkesë në Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, nëpërmjet të cilës kemi kërkuar nga këto institucione që të vijnë dhe të marrin të gjitha mostrat paralele të produkteve Vita dhe Holla, për shkak të vonesës së institucioneve kompetente për të dorëzuar rezultatet brenda afateve ligjore.
Duke marrë parasyshë që deri më sot nuk kemi pranuar rezultatet dhe pavarësisht kërkesave të shumta që i kemi bërë ndaj institucionit AUV, ne akoma nuk kemi pranuar rezultatet e analizave të mostrave.
Duke e konsideruar edhe vetë faktin që në inspektimin e datës 02.07.2026, Këshilltarja Politike e Ministrisë së Bujqësisë na u ka prezentuar si Inspektore, e njësoj ka bërë edhe pronari i Kompanisë konkurrente, ne e kemi parë të udhës që të paralajmërojmë Prokurorinë Speciale dhe Policinë e Kosovës, që të ndërmarrin masa dhe të parandalojnë manipulimin me rezultatet e të gjitha mostrave që i ka marrë AUV, për brendet “Holla” dhe “Vita”.
