Një gjykatë federale e apelit në Boston ka refuzuar kërkesën e administratës së presidentit Donald Trump për të zbatuar një urdhër ekzekutiv që synonte ndryshimin e rregullave të votimit me postë në 23 shtete. Vendimi i së shtunës mbajti në fuqi një urdhër-ndalimi të vendosur më 25 qershor nga gjyqtarja e qarkut, Indira Talwani, e cila konstatoi se pjesë të urdhrit presidencial ishin jokushtetuese.
Departamenti i Drejtësisë kishte kërkuar pezullimin e vendimit të gjyqtares Talwani, duke argumentuar se paditë kundër urdhrit ishin të parakohshme pasi agjencitë qeveritare ende nuk kishin finalizuar masat për zbatimin e tij. Megjithatë, Gjykata e Apelit e Qarkut të 1-të e hodhi poshtë këtë argument me një votim 2-1, duke vlerësuar se shtetet përballen me afate të ngushta dhe kanë nevojë për qartësi mbi rregullat që do të qeverisin zgjedhjet e ardhshme.
Gjithashtu, urdhri kërkonte që Shërbimi Postar i SHBA-së (USPS) të dërgonte fletëvotime vetëm në adresat e miratuara dhe udhëzonte Departamentin e Drejtësisë që t'i jepte përparësi hetimit të zyrtarëve lokalë që lëshojnë fletëvotime për persona të konsideruar si të papërshtatshëm.
Gjyqtarja Talwani vlerësoi se presidenti nuk ka autoritet për të urdhëruar hartimin e listave të votuesve dhe se USPS nuk ka autorizim ligjor për të vendosur rregullore detyruese mbi votimin me postë.
Administrata Trump ka paralajmëruar se, në mungesë të një vendimi të favorshëm nga kjo gjykatë, mund t'i drejtohet Gjykatës Supreme të SHBA-së. Sipas Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara, administrimi i zgjedhjeve federale është përgjegjësi e shteteve.
Burimi: timesofisrael.com
