Në vitet e fundit, bizneset në Shqipëri po investojnë gjithnjë e më shumë në aktivitete të tipit “retreat”, team building, kampe zhvillimi dhe trajnime në natyrë. Këto iniciativa, që dikur konsideroheshin si një koncept i kufizuar kryesisht te korporatat e huaja, po bëhen pjesë e paketës së vlerës që punëdhënësit shqiptarë ofrojnë për stafin e tyre.
Kostoja e largimit të një punonjësi përfshin kohën e humbur në rekrutim, trajnimin e punonjësit të ri dhe uljen e produktivitetit gjatë periudhës së tranzicionit. Për pozicione të specializuara, kjo kosto mund të arrijë disa paga mujore, duke e bërë një “retreat” prej disa mijëra eurosh një investim më të arsyeshëm sesa zëvendësimi i vazhdueshëm i stafit.
Ornela Shehi, drejtuese e Departamentit të Marketingut dhe Eventeve në Deloitte Albania, shpjegon se profesionistët e rinj kërkojnë më shumë se një pagë konkurruese. “Mjedisi i punës, kultura e bashkëpunimit dhe komuniteti profesional ku bëjnë pjesë kanë peshë të konsiderueshme në vendimmarrjen e tyre për të qëndruar dhe për t’u zhvilluar brenda një kompanie”, thotë ajo.
Jonel Kristo, sipërmarrës dhe trajner në fushën e “retreat”-it, shton se qëllimi i këtyre aktiviteteve është rikthimi i lidhjes mes njerëzve dhe forcimi i kulturës së brendshme. “Bizneset po investojnë në retreat-e sepse po shohin se një ekip i lodhur, i fragmentuar ose i paangazhuar kushton shumë më tepër sesa një përvojë e menduar mirë”, shprehet ai.
Edit Valisi, Menaxhere e Rekrutimit dhe Zhvillimit të Talenteve në Grupin BALFIN, thekson se aktivitetet jashtë zyrës lënë gjurmë te punonjësit. Këtu nuk janë thjesht pjesëmarrës, por ndërveprues”, thotë ajo. Për një grup me mbi 5,500 punonjës nga 24 kombësi, këto aktivitete shihen si pjesë e përpjekjes për të ndërtuar një kulturë të përbashkët organizative.
Rritja e kërkesës për këto shërbime ka nxitur një ekonomi të re. Hotelet, resortet, qendrat e konferencave, trajnerët dhe psikologët organizativë po përfitojnë nga kërkesa në rritje, duke ndihmuar gjithashtu në zgjatjen e sezonit turistik përtej periudhës verore.
Burimi: monitor.al
