Ministria e Financave ka njoftuar se javën e ardhshme do të zhvillojë rihapjen e ankandit të obligacioneve 15-vjeçare. Shuma e obligacioneve që do t’u ofrohet investitorëve për blerje është 1.5 miliardë lekë.
Ky ankand është rihapje e atij të muajit qershor. Në ankandin e kaluar, kuponi dhe yield-i uniform i pranuar u rritën në 6.22%, nga 5.75% që kishin qenë në ankandin e muajit prill.
Në ankandin e fundit u vërejt një rënie e kërkesës së investitorëve, ku shuma totale e kërkesave ishte rreth 1.41 miliardë lekë, duke mos arritur shumën e shpallur për financim prej 2 miliardë lekësh.
Faktorë si inflacioni dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme kanë ndikuar në pritshmëritë për normat e interesit. Sipas të dhënave të INSTAT, inflacioni në muajin qershor arriti në 3.2%, ndërsa inflacioni bazë shënoi 3.54%. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e ka mbajtur normën bazë të interesit në nivelin 2.5%.
Individët dhe subjektet e interesuara mund të marrin pjesë në ankande përmes bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Bankat e licencuara për këtë shërbim janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.
Shuma minimale e pjesëmarrjes në ankand është 300 mijë lekë. Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, ndërsa çdo kërkesë që e tejkalon këtë vlerë klasifikohet si kërkesë konkurruese.
Burimi: monitor.al
