Punimet në segmentin rrugor pranë “Xhamisë së Llapit” në kryeqytet kanë rifilluar pasi u arrit marrëveshje mes qytetarëve dhe drejtorit të kompanisë i cili po kryen punimet, duke i dhënë fund mospajtimeve që kishin çuar në ndërprerjen e tyre, raporton Ekonomia Online.
Marrëveshja u arrit pas një diskutimi mes përfaqësuesve të banorëve dhe drejtorit të kompanisë në prani të Policisë së Kosovës.
Pas dakordimit të palëve, punimet kanë vazhduar, ndërsa banorët shpresojnë që projekti të përfundojë sa më shpejt.
Disa banorë dhe pronarë biznesesh në Prishtinë disa orë më parë kanë bllokuar punimet që po zhvillohen në rrugën pranë “Xhamisë së Llapit”, duke vendosur makineri të rëndë në zonën ku po punohej.
Qytetarët kanë thënë në kushte anonimiteti, se vendimi për bllokimin e punimeve erdhi si reagim ndaj projektit të Komunës së Prishtinës, për të cilin pretendojnë se është marrë pa konsultim dhe pa një plan të qartë.
