Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri në një konferencë për media ka thënë se Kurti dhe ZRrE janë bërë bashkë për shtrenjtim të energjisë elektrike, shkruan Paparaci.
Tahiri tutje ka thënë se kanë pritur që në seancë të votohet rezoluta, derisa ka thënë se me të gjithë mekanizmat e mundshëm do ta kundërshtojnë rritjen e energjisë elektrike.
“Në fund pas gjithë debatit dhe ballafaqimeve tona me kryeministrin Kurti dhe me mazhorancën ne e patëm një rezolutë që në asnjë rrethanë të mos e konsideronte rritjen e energjisë elektrike në këtë nivel. Sot kemi pritur që të votohet rezoluta, kështu që mazhoranca e dha një mesazh të qartë se këtu ka një koordinim të plotë ndërmjet kryeministrit Kurti e ZRrE-së dhe janë bërë bashkë që ta implimentojnë një bllok tarifë që është e pa përballueshme për jetën e qytetarëve. VV bëri një gjet që tregoi qartë pozicionimin e Lëvizjes Vetëvendosje. Parandalim të kësaj çështje të qeverisë nuk do të ketë, duket qartë se mazhoranca është pro rritjes së çmimit të energjisë elektrike, dhe ne do ti provojmë të gjithë mekanizmat e tjerë”.
E për mospërfshirjen e 4 komunave në veri ne bllok tarifë, Tahiri tha se me këtë veprim territori po dërgohet në autonomi.
“4 komuna nuk janë të përfshirë në bllok tarifa, dhe ne këtë nuk e kemi diskutuar, mirëpo po shohim që kemi një problem më të madh që është përjashtimi i katër komunave nga bllok tarifa. Mospërfshirja e këtyre qyteteve nuk e di a po e qon territorin e vet në autonomi”, tha Tahiri.
