Kryeministri Albin Kurti sot pas homazheve tek përmendoret e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha dhe Ilir Konushevci, në Podujevë, është deklaruar rreth shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Ai ka deklaruar se më shumë se dy dekada ka pas zhvatje në KEK dhe mosinvestim, dhe nuk është e mundur të mos ketë as subvencionim, as shtrenjtim dhe as shkyçje.
“Besoj që deri në orën 16:00 sot do të ketë mjaftueshëm propozime te Zyra e Rregullatorit për Energji në mënyrë që të gjendet zgjidhja më e mirë e mundshme në këtë krizë energjetik, e jo veç zgjidhje ideale por as optimale nuk ka. Nuk është e mundur të mos ketë as subvencionim, as shtrenjtim dhe as shkyçje. Duhet bashkërisht të dalim nga kjo situatë, nuk jemi me fajin tonë. Çmimet e energjisë janë shtuar në bursën ndërkombëtare, kurse më shumë se dy dekada ka pas zhvatje në KEK dhe mosinvestim”, tha Kurti.
Ai tha se raporti i ZRRE-së nuk është merre ose lëre, por raport që pret komentet dhe shtoi se shpreson që pas atyre komenteve të ketë një vendim meritor.
Tutje ai ka folur edhe për takimin që do të ketë sot me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kurti tha se me Escobar nuk është takuar asnjëherë, por vetëm ka biseduar në telefon.
Ai tha se më e drejtë është që qëndrimet dhe mendimet rreth takimit me diplomatët, të jepen pasi të zhvillohet takimi.
“Unë me përfaqësuesin e posaçëm e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, z.Escobar, takohem sot për herë të parë, kam biseduar dy herë në telefon me të, por nuk jam takuar deri tash. Sot do ta kem takimin e parë me të dhe përfaqësuesin e posaçëm e BE-së, besoj se pas takimit është më e drejtë dhe më e mirë të japim qëndrimet dhe mendimet tona”, ka deklaruar Kurti.
