Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se nuk ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim të Ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Në njoftim thuhet se Sveçla ka qenë i ftuar në mënyrë të rregullt dhe gjithashtu nuk është lëshuar asnjë urdhëresë për sjellje me detyrim ndaj tij për seancën e radhës.
Gjykata ka njoftuar se seanca ndaj Xhelal Sveçlës, Dardan Molliqajt, Arsim Maqastenës, Pajtim Havollit, Agron Kabashit, Egzon Azemit, Pajtim Demajt, Frashër Krasniqit, Nol Nushit, Bekim Shkodrës, Afrim Hoxhës, Sami Avdiut dhe Besnik Qelajt nuk është mbajtur.
“Seanca e shqyrtimit fillestar nuk është mbajtur në mungesë të shtatë të pandehurve, prej tyre dy të pandehur kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, për dy të pandehur nuk ka pasur dëshmi se janë ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa për tre të pandehur ka pasur urdhëresë për sjellje me detyrim nga stacionet policore , mirëpo që nuk janë realizuar dhe Gjykata është informuar nga Policia e Kosovës, se të njëjtit nuk janë gjendur në vendbanimet e tyre, andaj në mungesë të pandehurve seanca është shtyrë në afat të pacaktuar”, shkruhet në njoftimin e Gjykatës.
