Vitaly Klitschko, kryetar i bashkisë së Kievit dhe ish kampion bote në boks për peshat e rënda, vizitoi së fundi bashkë me vëllain e tij, Wladimir, edhe ai kampion boksi, një qendër rekrutimi për vullnetarë që janë gati të rrokin armët në rastin e një agresioni rus në Ukrainë. Klitschko u zotua ta mbrojë deri në fund qytetin, me të gjithë forcën e tij.
Nuk janë të paktë ukrainasit që ndajnë të njëjtin qëndrim.
52-vjeçarja Mariana Zhaglo, nënë e tre fëmijëve punon në fushën e marketingut, por thotë së është gati të marrë armën e të luftojë për të mbrojtur vendin e saj, edhe pse mund të rrezikojë jetën.
“Shkova dhe bleva një pushkë. Jo për gjueti kafshësh e as njerëzish, por sepse dua të mësoj si të përdor armën, si të qëlloj me të. Ka shumë të tjerë si unë atje jashtë. Shumë gra që duan të bëjnë të njëjtën gjë. Në radhë të parë, ne jemi nëna. Një grua do të bënte çdo gjë për të mbrojtur fëmijët e saj, familjen e saj”.
Edhe pse autoritetet ukrainase insistojnë se rreziku për një pushtim të plotë nuk është dhe aq i madh, frikën e një sulmi rus mbi Ukrainë e shton fakti që ekziston një precedent, e ai është aneksimi i gadishullit ukrainas të Krimesë në 2014 nga Moska.
