Të fundit

Zyrtari që nënshkroi “marrëveshjen historike” në Berlin, akuzohet për skandalin e 53-milionëshit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekajt, ish-shefit të kabinetit të këtij të fundit, Esat Berisha dhe ndaj ish-zyrtarit të lartë në MI, Nebih Shatri.

Siç thuhet në njoftim, aktakuza kundër të pandehurve të lartcekur është ngritur për shkak të dyshimit se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

Aktakuza ndaj Lekajt ndërlidhet me rastin e 53 milionë eurove shtesë të cilat Ministria e Infrastrukturës i ka ndarë për “Bechtel&Enka”, disa vjet më parë, për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi” që e lidhë Kosovën me Maqedoninë.

Kush janë dy të akuzuarit me Pal Lekajn, në këtë rast – Esat Berisha dhe Nebih Shatri?

Eset Berisha ishte drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës. Ai u emërua në këtë pozitë me vendim të datës 11 janar 2019 me mandat 5 vjeçar, të Qeverisë së Kosovës, që atëkohë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Ish-këshilltari politik i Pal Lekajt, Berisha ishte shkarkuar më 11 maj të vitit 2020 me vendim të kryeministrit Albin Kurti, në kohën kur partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje po bashkëqeverisnin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Berisha u shkarkua me rekomandim të Zyrës së Kryeministrit, teksa lidhur me këtë, pati deklaruar se arsyeja e vetme e shkarkimit të tij është se kryeministrit në detyrë atëkohë, Albin Kurti “i ka mbetur hatri për marrëveshjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd”.

Qeveria në detyrë në vitin 2020 kishte thënë se e ka shkarkuar Eset Berishën për “shkak të shkeljeve të detyrave të tij profesionale”.

Ekzekutivi deklaronte se Berisha ka hartuar e ka nënshkruar Rregulloren e brendshme të AAC-së në kundërshtim me ligjin, ndërsa edhe “ka rrezikuar Qeverinë e Republikës së Kosovës në dërgim në arbitrazh”.

Berisha mes tjerash, ishte personi që nënshkroi marrëveshjen për linjën ajrore Prishtinë-Beograd, në Berlin.

Marrëveshja e 20 janarit të vitit 2020, që synonte rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, u nënshkrua në Berlin në ambasadën e ShBA-së. Fluturimet Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas thuhej se në të ardhmen do të realizohen nga kompania gjermane Lufthansa.

Marrëveshja për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd
Marrëveshja për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd

Në aktakuzë gjithashtu përmendet edhe ish-zyrtari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri.

Madje, këtij të fundit i ishte ngritur aktakuzë edhe në nëntor të vitit 2020, bashkë me dy zyrtarë të tjerë në Ministrinë e Infrastrukturës për skandalin me patentë shoferë në kohën e Pal Lekajt.

Për dyshimin se 80 persona janë pranuar si ekzaminerë (pyetës) për patentë shoferë në mënyrë të jashtëligjshme, akuzohet Pjetër Ndou, këshilltar i ish-ministrit Pal Lekaj, Nebih Shatri, ish UD i sekretarit të Përgjithshëm në këtë ministri, si dhe ndaj Kadri Krasniqit, ish-drejtor i Departamentit të Automjeteve në MI.

Ish-zyrtarët e MI-së, dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën dhe kanë marrë ryshfet për kandidatët –licencimin e pyetësve teorikë për patentë shoferë dhe për çdo kandidat janë paguar nga 10 mijë euro, duke i zgjedhur kandidatët joprofesionalë.

Në aktakuzën e ngritur nga prokuroria thuhet se të pandehurit Nebih Shatri në pozitën e ushtruesit të detyrës së sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Kadri Krasniqi, si drejtor i departamentit të automjeteve në këtë ministri, në bashkëkryerje, me qëllim që të tjerët të përfitojnë, si dhe duke e shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare kanë tejkaluar kompetencat, përkatësisht nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare.

Ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 i Kodit Penal të Kosovës.

I akuzuari Nebih Shatri, duke qenë në pozitën e UD të sekretarit të Përgjithshëm nuk ka lidhur kontrata pune me 21 pyetës të angazhuar, duke  lejuar që të njëjtit të punojnë gjatë vitit 2017 dhe 2018 në Njësitë Rajonale për patentë shoferë në Prishtinë, Mitrovicë, Gjakovë, Pejë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan, si dhe nuk ka zhvilluar asnjë procedurë të rekrutimit.

Shatri akuzohet se ka ndryshuar emrat e pyetësve të propozuar nga Drejtori i Departamentit për Patentë Shoferë, ashtu që i ka dërguar për vendim te Ministri i MI-së, atëkohë Pal Lekaj.

Po ashtu, Shatri ka qenë drejtor i Departamentit të Automjeteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe të njëjtit, gjatë ditës së sotme i është ngritur një aktakuzë tjetër për skandalin 53-milionësh me “Bechtel-Enka”, për autostradën që e lidhë Kosovën me Maqedoninë e Veriut.

Video nga Paradoks

VV SHOW - Dhuna verbale, a po e shtyn Vetevendosje një konflikt të madh shoqëror

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci