Gjatë ditës së sotme, Albin Tahiri ka bartur i vetëm flamurin e Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore Pekini 2022, në parakalimin e 91 shteteve pjesëmarrëse. Bashkë me të ishte edhe ekipi i vendit tonë, shkruan Paparaci.com.
Por, pavarësisht kësaj, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk gjetën kohë që ta urojnë ekipin olimpik të Kosovës. Njëjtë veproi edhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ndërkaq, për dallim nga këtë të fundit, lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, skiatores Kiana Kryeziu, i uroi suksese në garën më të madhe sportive që ekziston.
“Ne jemi krenarë me sportistët tanë, të cilët çdo ditë e më shumë po e lartësojnë emrin dhe flamurin e shtetit. Fat e suksese”, shkroi ai në Facebook.
Po ashtu, edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, u shpreh jashtëzakonisht i lumtur për defilimin e sotëm të sportistëve tanë në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.
“Kosova jonë po valvitë flamurin e saj nëpër qendrat më të mëdha botërore për vite me radhë, falë përkushtimit dhe sukseseve të sportistëve tanë.
U uroj Kianës dhe Albinit që të korrin suksese dhe t’i bashkohen Majlindës, Norës e Distrias në podiumin e të artëve”, u shpreh ish-kryeministri.
As ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, nuk foli asgjë për këtë ngjarje të rëndësishme. Ndërkaq, dikasteri që ai udhëheq, ua kushtoi disa rreshta ekipit olimpik të Kosovës.
MKRS në një postim në Facebook tha se Kosova në Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022 po përfaqësohet nga dy sportistë, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu.
“Gjatë Olimpiadës Tahiri do të garojë në katër disiplina të skijimit alpin, sllallom, sllallom i madh, lëshim dhe kombinim alpin, derisa Kryeziu do të garojë në disiplinën sllallom i madh. Ju urojmë shumë suksese sportistëve tanë në paraqitjet e tyre”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie.
Ndryshe nga shefja e vendit, Blerim Vela, nga zyra e Presidencës, postoi një fotografi të ekipit olimpik të Kosovës, nëpërmjet llogarisë së tij në Twitter.
“Kosovo at #Beijing2022WinterOlympics #Beijing2022”, shkroi ai.
Edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier i uroi ekipit të Kosovës që parakaloi në lojërat olimpike në Pekin, sukses dhe fat në garën e tyre.
Skitari Albin Tahiri kishte bartur flamurin tonë edhe në ceremoninë hapëse të LOD PyeongChang 2018.
Skitarja tjetër, Kiana Kryeziu, që ishte paraparë të mbante flamurin bashkë me skitarin Tahiri, nuk u lejua të marrë pjesë në ceremoni, sikurse trajneri Agim Pupovci.
Pupovci ka rezultuar pozitiv në njërin nga testet e përditshme për Covid 19 dhe përkundër se është asimptomatik dhe gjendja e tij shëndetësore është shumë e mirë, ai është duke ndjekur rregullat e karantinimit, edhe pse testet e fundit kanë rezultuar negative.
Sipas organizatorëve, Kryeziu, është konsideruar si kontakt i mundshëm me persona tjerë, për çka nuk i lejohet të marrë pjesë në ceremoni, edhe pse është duke stërvitur dhe rezultuar negativ në testet per Covid 19.
Në ceremoni kanë folur presidenti Thomas Bach dhe presidenti i LOD Pekini 2022, Cai Qi, ndërsa hapjen zyrtare e bëri presidenti i Kinës, Xi.
Ceremonia u përshkrua me spektakël që pasqyronte traditën dhe kulturën kineze.
Pekini u bë qyteti i parë në botë që organizon Lojërat Olimpike Verore (2008) dhe ato Dimërore. Në Dimërore po marrin pjesë 91 shtete.
Kosova po përfaqësohet me skitarët, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu. /Paparaci.com/
