Deputetja e LDK-së Rrezarta Krasniqi, në njëvjetorin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, ku Lëvizja Vetëvendosje mori 50.28 për qind të votave, tha se kryeministri Albin Kurti, në çdo ditë të qeverisjes së vendit është duke e dëshmuar se e gjitha ajo çfarë ka thënë sa ka qenë në opozitë, ishin vetëm brenda kornizave imagjinare, pasi që nuk ka konkretizuar asgjë nga ajo çfarë kishte thënë, me çka sot populli do të mburrej.
Krasniqi, nëpërmjet një postimi në Facebook tha se kjo ua ka vështirësuar jetesën qytetarëve me ngritjen e vazhdueshme të çmimeve të produkteve bazike për jetesë, e tash së voni edhe me shtrenjtimin e energjisë elektrike.
“Nuk i lanë vetëm për dasma e ahengje as familjarët e tyre, ashtu siç u zotuan në fushatë por i emëruan në pozita të rëndësishme, për kapje të shtetit. Zero rezultat nga politika e jashtme, sepse nuk pati fare angazhim. Në këtë përiudh po ashtu pati stagnim në lobim, anëtarësim dhe njohje të reja për vendin. Kjo qeveri e ktheu mbrapa Kosovën për disa vite”, shkroi ajo.
“E gjithë kjo situatë, për fatin e keq ka prodhuar zhgënjim të madh i cili po përkthehet me largim masiv të rinisë nga vendi. Qeveria Kurti, do të mbahet mend si qeveria më e dëmshme që ka udhëhequr me vendin”.
