Prokuroria Themelore e Prizrenit së bashku me Policinë e Kosovës në një konferencë të përbashkët për media ka njoftuar rreth aksionit anti-drogë në fshatin Shirokë të Suharekës, shkruan Paparaci.
Prokurorja e rastit Ariana Shajkovci, ka njoftuar se nga ky aksion janë arrestuar 6 persona, katër prej të cilëve janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, kurse dy të tjerë janë shtetas së Kosovës.
“Bastisja është kryer në fshatin Shirokë të Suharekës. Hetimet kanë nisur më 4 shkurt ndaj tre personave ku njëri nga ta është arrestuar sot. Janë arrestuar gjashtë persona, katër shtetas të Maqedonisë së Veriut, dhe dy të Kosovës”, ka thënë Shajkovci.
Gjithashtu është bërë e ditur se njëri nga të arrestuarit është pronari i mullirit ku është gjetur laboratori i drogës, raporton Papapraci.
Tutje ajo ka bërë të ditur se policia ka gjetur dhe sekuestruar 32 kilogram marihuanë dhe 2059 bimë narkotike sativa e cila ishte në procesin e rritjes.
Krahas tyre policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe tri automjete, një e tipit Ford, një BMW dhe një Opel Zafira.
Ndërkohë që drejtori i Policisë për anti-drogë Reshat Murseli, ka njoftuar 32 kilogramët e maruhanës së konfiskuar në operacionin e koduar “Mulliri” ishin në procesin e tharjes.
Tutje ai ka shtuar se 2059 bimët tjera ishin të gjata nga 80 centimetra deri në metra, të cilat po të ktheheshin në peshë do të arrinin në 800kg, shkruan Paparaci.
“32kg të sasisë narkotike marihuanë janë gjetur në procesin e tharjes në momentin e bastisjes dhe janë gjetur edhe 2 mijë e 59 bimë narkotike kanabis sativa, në madhësi 80cm deri në 2 metra. Po të ktheheshin në peshë të përgjithshme pas përpunimit do arrinin peshën 800 kg dhe blera mbi 1 milion e gjysmë”, tha ai.
Murseli tha se ka më shumë se tre muaj që ato bimë kanë qenë duke u kultivuar, si dhe shtoi se është njoftuar edhe KEDS për të kontrolluar shfrytëzimin e energjisë elektrike dhe për të konfiskuar pajisje që janë përdorur për laborator./Paparaci.com
