Të fundit

I “goditur” nga ministrja për lirimin e serbëve, deklarohet prokurori Gecaj

Të shtunën e kaluar, Policia e Kosovës arrestoi tre shtetas serb, D. D., V. J., dhe D. D., të cilët kishin blerë emblema të UÇK-së në një dyqan të Prishtinës. Të njëjtit ishin liruar ende pa mbushur paraburgimin prej 48 orëve. Këtë veprim të Prokurorisë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka quajtur të çuditshëm. Kurse, prokurori i rastit, Haki Gecaj, thotë se nuk ka prova se të njëjtit duhet të shkojnë në Gjykatë, raporton Paparaci.

Më 26 shkurt, Policia e Kosovës, ka arrestuar tre shtetas serb D. Dolasevic, V. Jankovic dhe D. Dolasevic, të cilët kishin blerë emblema të UÇK-së në njërin nga lokalet e Prishtinës dhe ishin duke planifikuar blerjen e disa uniformave në një lokal tjetër të kryeqytetit.

Sipas raportimeve të fundit, serbët së fundmi kishin përgatitur një plan për t’i realizuar disa video kinse disa ushtarë të veshur me uniforma të UÇK-së, janë gati për të marrë veriun e Kosovës.

Por, një ditë më pas, Prokuroria njoftoi se serbët janë liruar pasi për momentin nuk ka prova që të mund të procedohet për gjykatë çështja.

Sipas dëshmive, te serbët janë gjetur pesë emblema, mirëpo të njëjtit kishin deklaruar se janë koleksionues të tyre dhe asgjë më shumë.

Ky veprim i Prokurorisë është parë si “i çuditshëm dhe i befasishëm” nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Kjo e fundit në një konferencë për media, ditën e sotme, ka thënë se njëri nga tre serbët e arrestuar, kishte komunikime me strukturat ruse dhe serbe.

Sipas shefes së dikasterit të Drejtësisë, ai ka pasur komunikime me federatën ruse dhe individë të strukturave të inteligjencës serbe.

“Institucionet e sigurisë kanë informacione se të paktën njëri nga personat e shoqëruar në polici ka komunikime të shumta me federatën rusë, individ të strukturave të inteligjencës serbe. Prandaj kanë mjaftuar këto informacione se personat në fjalë bashkë me strukturat e Serbisë të përgatisnin ndonjë aktivitetet që do të cenonte sigurinë dhe do të shtonte tensionet në Kosovë”, tha ajo.

“Përkundër këtyre informacioneve Prokuroria ka liruar në procedurë të rregullt personat e dyshuar. Ky veprim i Prokurorisë është i çuditshëm, i befasishëm, sikurse edhe për në si qeveri por edhe për qytetarët. Dhe këto veprime janë injorim i ndonjë rreziku të mendueshëm ndaj cenimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

Sipas saj një gjë e tillë shfaq shpërfillje, shkruan Paparaci.

“Fakti që personat në fjalë nuk janë mbajtur as 48 orë në stacion policor tregon mospërfilljen ndaj cenimeve të mundshme të sovranitetit dhe integritetit territorial”, shtoi ajo.

Këtë deklaratë të ish-deputetes Haxhiu, nuk e ka komentuar prokurori i çështjes, Haki Gecaj.

I kontaktuar nga mediumi online Paparaci, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, ka thënë se rasti në fjalë nuk ka pasur prova që të vazhdojë më tutje në Gjykatën kompetente, teksa ka shtuar se nuk ka hetim tjetër për momentin.

“Nuk i komentoj deklaratat, s’jam i prirë për t’i komentuar ato. Ne veprojmë bazë të dispozitave ligjore që jemi të autorizuar. Komente të tilla nuk bëjmë, ato janë deklarime të tyre dhe kurgjë tjetër”, theksoi Gecaj.

“Kur janë mbledhur provat, nëse s’ka dëshmi që është kryer vepra, ne nuk mundemi me vazhdu çështjen në Gjykatë pa pasur prova të mjaftueshme. Ne s’mundemi me çu dikë në Gjykatë se çka mendon, por çka vepron. Rasti s’ka pasur prova për me dërgu në Gjykatë, me pasë pasë me siguri e kishim çu”.

Prokuroi Gecaj mes tjerash tha se nuk munden t’i dërgojnë në Gjykatë të arrestuarit veç pse kanë blerë emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Janë gjetur pesë emblemat e UCK-së dhe qaq u gjet. S’mundemi me çu vec pse kanë ble. Unë flas për atë çka kam pasur para vete dhe dëshmitë e mbledhura nga organet e autorizuara ligjore. Unë veproj në bazë të provave që m’i sjellin organet, drejtoria përkatëse që ka qenë e autorizuar. Nuk ka hetim për momentin, hetimet munden me vazhdu nëse gjenden prova të reja”, përfundoi ai për Paparacin.

Tre shtetasit serbë e arrestuar kishin hyrë në Kosovë në pikë kalimin kufitar “Dheu i Bardhë” në Gjilan, gjersa kanë lënë automjetin e tyre me targa të Nishit dhe kanë hipur në makinën e një qytetari shqiptar, i cili i ka sjellë në Prishtinë. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci