Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për rritjen enorme të çmimeve, teksa ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke e quajtur praktikante.
Sipas tij, ky është çmim i paaftësisë dhe neglizhencës.
“Është çmim i braktisjes së detyrave bazike shtetërore. Ne jemi në krizë. Dhe në këtë krizë nuk kemi Qeveri. Paralajmërimet e ngritura me kohë s’dëgjohen e rekomandimet e dhëna injorohen”, shkroi ai në Facebook.
Ai tha se më 3 shkurt, LDK ka paralajmëruar Qeverinë për marrjen e masave në sigurim të grurit para shpërthimit të agresionit rus në Ukrainë, por nuk ka pasur asnjë reagim.
“Më 16 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të ofrojë një paketë masash fiskale që targetojnë inflacionin e lartë – më të lartin historik – në Kosovë. Asnjë reagim. Më 21 shkurt i kemi kërkuar Qeverisë të funksionalizojë sa më parë Autoritetin e Konkurrencës si preventivë për manipulimet e mundshme të çmimeve; me të njëjtat që po ballafaqohemi sot. Asnjë reagim”, vijon postimi i deputetit Abdixhiku.
“Këtë javë, kemi dhënë rekomandime konkrete mbi masat që duhet marrë për zbutjen e përballueshmërisë; me theks të veçantë në reduktimet e TVSH-së e akcizës mbi derivate fillimisht e më pas dhe në produktet bazike. Rekomandimet tona u mbështetën nga të gjithë, përveç Qeverisë. Asnjë reagim”, shtoi ai.
“Mosreagueshmëria është pjesëmarrje në krizë. Qeveria, si ankuese e vështruese e krizës, po kontribuon në krizë”.
