Mbrëmjen e kaluar është mbajtur koncerti inaugurues i institucionit të Operës së Kosovës. Në këtë koncert morën pjesë mbi 170 profesionistë të muzikës klasike, përcjell Paparaci.
Ndërkaq, ndër të ftuarit e këtij evenimenti të madh, ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku i cili përmes një statusi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, cilësoi këtë koncert si krenari, nder dhe emocion.
Ministri Çeku, po ashtu falënderoi të gjithë ata që punuan me aq përkushtim që mbrëmja e kaluar të sillte, siç theksoi tutje ai, shumë pozitivitet e energji të mirë.
”Nder, krenari dhe emocion.
Sonte mbi 170 profesionistë të muzikës, talentë të dalë nga ky vend, Kosova, e që veprojnë me sukses këtu e në skena të ndryshme botërore, u bënë bashkë në koncertin inaugurues të Operës së Kosovës.
Ky institucion i rëndësishëm e i sapothemeluar e nisi programin me vënien në skenë të operës “Goca e Kaçanikut ” nga kompozitori ynë i madh, Rauf Dhomi, nën dirigjimin e Edon Ramadanit.
Ky është fillim i mbarë për një rrugëtim të gjatë dhe shpresëdhënës të muzikës operistike në Kosovë. Sonte shteti ynë bëri një hap të ri e të rëndësishëm në aspektin institucional kulturor, e teksa për dekada me radhë janë formuar artistë të shkëlqyer të këtij arti të cilët kanë shkëlqyer nëpër teatrot operistikë anembanë botës, tash e tutje ata do ta kenë mundësinë të shfaqen edhe në vendin e tyre.
Ne përherë kemi patur dhe vazhdojmë të kemi muzikantë të talentuar e punëtorë, virtuozë të mediumit muzikor. Tash do të presim prej tyre të shpërthejnë në sallat e koncerteve me pasion dhe gëzim për të ndarë muzikën dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin me art dhe kulturë.
Ndërsa paralelisht punohet për funksionalizimin e vetë institucionit të Operës dhe ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, kjo natë le të kujtojë se toka jonë është plot talent dhe dashuri.
Dua t’i falenderoj të gjithë ata që punuan me aq përkushtim që kjo natë të na sjellë kaq shumë pozitivitet e energji të mirë” ka shkruar Ministri Çeku në statusin e tij./Paparaci.com.
