Pas deklaratave të raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Mnastirin e Deçanit është vonuar shumë, ka reaguar edhe ambasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde.
Ky i fundit nëpërmjet një postimi në Twitter është pajtuar me von Cramon, ku ka shkruar se zbatimi arbitrar i sundimit të ligjit nuk është rruga që duhet ndjekur.
“Pajtohem plotësisht: Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 është vonuar prej kohësh siç rikujtoi Gjykata së fundmi. Zbatimi arbitrar i sundimit të ligjit nuk është rruga përpara”, shkroi ai në Twitter.
Gjatë ditës së djeshme raportuesje për Kosovën në parlamentin Evropian ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë manastir.
“Toleranca dhe respekti i ndërsjellë janë thelbi i shoqërisë multietnike. Trashëgimia e Kishës Ortodokse serbe në Kosovë duhet të mbrohet dhe të gëzojë të drejta të plota. Prandaj i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të vonuar prej kohësh tashmë, pasi sundimi i ligjit nënkupton trajtim të barabartë për të të gjithëve. Deçani duhet të jetë vend që bashkon gjithë qytetarët e Kosovës dhe ta zvogëlojë hendekun mes komuniteteve të saj, siç mund të luajnë rol konstruktiv Manastiri i Deçanit dhe ati Sava në dialogun shoqëror”, ka shkruar Von Cramon në Twitter.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës para pesë vitesh kishte marrë vendim për t’iu njohur e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.
Institucionet e Kosovës deri më tani nuk e kanë zbatuar këtë vendim, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga komuniteti ndërkombëtar.
