Të fundit

Fotodëshmi: Njerëzit e lidhur me Vetëvendosjen të punësuar në KEK

Një hulumtim i Paparacit shpërfaq nepotizmin e aplikuar në baza partiake dhe familjare të një konkursi të KEK-ut, ku kishin aplikuar 4 mijë e 668 persona. Dhjetëra nga 128 kandidatë të pranuar gjithsej, falë mbështetjes nga funksionarë brenda Korporatës Energjetike të Kosovës dhe nga pushteti i ri, tani gëzojnë vendet e reja të punës. Paparaci iu sjellë dëshmitë që tregojnë se rrugëtimi i kësaj gare, nuk ishte i drejtë e as i pastër.

Besfort Veseli

KEK-u, nëntorin e kaluar kishte hapur një konkurs për 150 vende të lira. Profesionet si teknik i makinerisë, elektroteknikës, kimisë, manipulues të shiritave transportues, inxhinier të makinerisë dhe zjarrfikës, do të përmbusheshin pikërisht pas gati gjashtë muajsh, apo më 1 prill, kur dolën rezultatet për veç 128 pozita.

Ndoshta rezultatet e 1 prillit për personat që nuk u pranuan do të dukeshin të pavërteta, por jo edhe për të tjerët që shkelën haptazi ligjin, raporton Paparaci.

Përveç militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje që u kyçën në KEK, përfitues të mëdhenj janë edhe familjarë të anëtarëve të komisionit intervistues të punësimit.

Në këtë konkurs, shumica janë familjarë të zyrtarëve të KEK-ut dhe militantë të partisë në pushtet.

Rasti më i rëndë është ai i punësimit të djalit të zyrtarit kryesor të Auditimit të Brendshëm në KEK, Ismet Vrapçani.

Ndonëse ai ishte i caktuar që të monitorojë punësimet në KEK, veprimi i tij bie ndesh me Kodin Penal të Kosovës.

I njëjti duke përdorur pozitën shpërblen me punë, hiç më pak se djalin e tij, Nolin.

Ismet dhe Nol Vrapçani, babë e bir – të dy të punësuar në KEK

Mirëpo, shkeljet ligjore nuk përfundojnë këtu, për më keq komprometohet i gjithë procesi duke bërë shkelje ligjore të paprecedent.

Shkeljet bëhen nga vetë komisionet e pranimit.

Yll Shala një anëtar dhe aktivist i devotshëm i VV-së, që është inxhinier në TCB ka qenë kryetar i komisionit të pranimit të një pjese të punëtoreve, ka pranuar një punë hiç më pak se vëllain e vet, shkruan mediumi online Paparaci.com.

Militanti i VV-së është përkujdesur që familja e ngushtë e tij, vëllai, të mos ketë probleme financiare me arsyetime banale se vëllai i tij është profesional duke mohuar profesionalizmin e të gjithë të tjerëve.

Yll Shala dhe kryeministri, Albin Kurti

Duke ndjekur shembullin e YII Shalës, anëtari tjetër i Komisionit dhe aktivist i VV-së, Tahir Musliu, po ashtu e punëson djalin e tij.

Mirëpo, hipokrizia e një procesi gjoja transparent dhe ligjor nuk mbaron këtu, por anëtari tjetër i komisionit për pranimin e Inxhinierëve të Makinerisë dhe anëtari i partisë së Albin Kurtit, Tahir Musliu, po ashtu punëson djalin e tij, Fitimin.

Tahir dhe Fitim Musliu, babë e birë – të dy të punësuar në KEK

Edhe Zymer Morina një anëtar i VV-së dhe i komisionit për pranimin e punëtorëve, nuk ka shkuar shumë larg, teksa është përkujdesur që ta pranojë në punë djalin e tij.

Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Zymer Morina

Shkeljet nuk mbarojnë me kaq.

Idriz Berbatovci përveç që ka të punësuar gruan në KEK dhe djalin e tij, Gzim Berbatovci, tani më i ka dhënë fund problemeve të punësimit pasi që ka pranuar në punë edhe anëtarin e 4 – të familjen djalin e tij të dytë, Albinot Berbatovci, në pozitën e zjarrfikësit.

E gjithë kjo është e mundur pasi që djali i parë i punësuari në KEK, Gzim Berbatovci punon në zyrën ligjore, fillimisht edhe ky ka qenë Dreitor i Zyrës Ligjore dhe njëherësh ish – asamblist i VV-së në Komunën e Prishtinës, ish – këshilltari i ministrit Vitia dhe militanti i VV-së.

Po ashtu, në listën e të punësuarave të teknik të makinerisë gjendet edhe Fatlum Podvorica i afërm i Milot Podvoricës, u.d. të Drejtorit të Zyrës Ligjore në KEK, për të cilin Paparaci, kishte raportuar nëntorin e kaluar.

Milot Podvorica, u.d. i Drejtorit të Zyrës Ligjore në KEK dhe Gëzim Bërbatovci, i punësuar në KEK, po ashtu.

Nepotizmi vazhdoi edhe me aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ermal Berisha.

Ky i fundit, ishte i 37-i në listën e të pranuarve për pozitën e teknikut të makinerisë.

Ermal Berisha – aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje

Keqpërdorimet nuk kanë të ndalur, pasi Gani Pacolli, zyrtar në Burime Njerëzore, i cili merret kontratat, ka punësuar djalin e tij, Florentin. Pozita e tij përkon me atë të Berishës.

Po ashtu, anëtari i partisë në pushtet, Fatbardh Dabinovci, i cili më herët ka qenë duke punuar në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, po për shkak se është shok i ngushtë i Milot Podvoricës, tani punon në Qendër në Toskanë në KEK.

Por, kjo nuk ka mjaftuar për shkak që tani ka punësuar edhe vëllain e tij.

Gjithashtu, Remzi Selimi, anëtari i VV-së që punon në qendrën e trajnimit në KEK, ka punësuar mikun e tij në punë.

Burimet e afërta në KEK tregojnë se Bekim Baliu i punësuar me nr. 3 rendor në listën e shpallur, miku i Remzi Selimit, diplomën e ka për përpunim të metaleve dhe nuk ka pasur fare të drejtë të aplikojë në drejtimin e Teknik i Makinerisë.

Rrjedhimisht, ky është mashtrim nga ana e Burimeve Njerëzore.

Remzi Selimi, anëtar i VV, Qendra e trajnimit në KEK

Sipas burimeve anonime në KEK, janë edhe 40 anëtarë tjerë të militanteve të punësuar në këtë institucion, duke përfshirë këtu Sabri Elshanin, Besim Vrshevcin, Bujar Shalakun dhe Argjend Lahun.

Të katërtit janë simpatizantë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kanë lidhje të afërta me funksionarë të partisë në qeverisje.

Kjo mund të vërtetohet edhe nëpërmjet postimeve të tyre në rrjete sociale.

Vrshevci, madje shihet edhe në një fotografi me deputetin e LVV-së nga Obiliqi, Halil Thaçi.

Besim Vrshevci, i punësuari në KEK dhe deputeti i VV-së, Halil Thaçi

Në këtë trend të punësimeve është i implikuar edhe Halil Thaçi, kryetar i degës së LVV-së në Komunën e Obiliqit.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës ka punësuar në KEK nipin e tij, Valon Gashin.

Deputeti i VV-së, Halil Thaçi, bashkë me nipin e tij, Valon Gashi

Ligjvënësi është përkujdesur që mos të lenë anash dhe ka punësuar edhe shokun e tij familjar, Florent Berisha.

Ndikimi i kandidatit për kryetar të Obiliqit, në punësime shtrihet edhe më shumë duke punësuar militantin e partisë së tij, Florim Tërhollin.

Militanti i Lëvizjes Vetëvendosje, Florim Tërholli

KEK-u ka pasur edhe më herët nepotizëm dhe punësime të tilla, por asnjëherë në këtë masë dhe në këtë mënyrë flagrante.

Por, ky punësim vije dhe rëndohet me shkelje ligjore ndaj të papranuarve.

Shumë kandidatë që kanë pasur nga 80 pikë deri 100 pikë, nuk janë pranuar në punë me arsyetimin se gjatë intervistës verbale kanë dështuar, që thekson tej mase subjektivizimin dhe shkeljet ligjore.

Rast tipik është Blerim Paci, që në test me shkrim ka marrë 80 pikë dhe pas një kohe të gjatë, KEK-u e njofton se gjithsej i ka 58 pikë që nuk mjaftojnë për punësim.

Hulumtimi i mëparshëm i Paparacit zbuloi se 120 të punësuarit nga 128 sa janë pranuar gjithsej, në Korporatën Energjetike të Kosovës, janë të afërt me partinë në pushtet: Lëvizjen Vetëvendosje. Ndërkaq, 40 për tyre kanë deklaruar haptazi se kanë familjarë të punësuar në këtë institucion.

Problemi qëndron se 120 personat që u punësuan në këtë korporatë, kanë lidhje të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Paparaci.

Kjo tregon haptazi, ndikimin e funksionarëve të kësaj partie, që t’i punësojë militantët e saj në forma dhe pozita të ndryshme.

Sipas hulumtimit të Paparacit, përveç lidhjeve të këtyre personave me njerëzit e pushtetit, edhe 40 të tjerë kanë deklaruar në mënyrë të hapur se kanë familjarë të punësuar në KEK.

Mediumi online Paparaci ka mësuar emrat e të punësuarve që me dëshirën e tyre kanë rrëfyer një gjë të tillë.

12 manipuluesit e shiritave transportues në KEK si: Agron Mustafa, Argjen Greiqevci, Armend Preniqi, Alban Ahmeti, Besim Vershevci, Daim Mehmeti, Donard Hoxha, Fadil Berisha, Fitim Graiqevci, Florent Berisha, Florim Terholli, Jeton Pllana, bashkë me dy zjarrfikësit e pranuar, Fitim Musliu e Albinot Berbatovci, u treguan eprorëve se nuk do të jenë të vetmit në familjet e tyre që marrin paga nga buxheti i shtetit.

Kështu vepruan edhe inxhinierët: Gani Zeqiri, Bamir Shala, Fjolla Nasufi, së bashku me dy teknikët e kimisë, Elhad Mustafa dhe Leonor Pllana.

Listët i shtohen edhe teknikët e energjetikës dhe të makinerisë. 16 punëtorët që u pranuan për këto dy pozita vepruan njëjtë.

Burimet e Paparacit bëjnë të ditur që këta nëpunës në mënyrë dëshirore deklaruan, pa frikë, se kanë anëtarë të punësuar.

Flamur Krasniqi, Qlirim Gërguri, Blendi Hashani, Leotrim Shala, Liridon Hashani, Arben Ahmeti, Fitim Berisha, Fitim Morina, Dardan Morina, Leon Berbatovci, Arsim Sadiku, Alban Gjakolli, Mentor Klinaku, Florent Pacolli, Vullnet Dragusha, Valmir Svirca, Leotrim Latifi, Ylber Raqi, Ermal Berisha, Endrit Paloji, Fatlum Dabinovci, kanë të përbashkët deklaratën e lartcekur, shkruan Paparaci.

Në pyetjet që janë përballur ata në intervistën e punës, të njëjtit janë shprehur se anëtarët e familjeve të tyre, duke filluar nga nëna, babai, motra, vëllai e deri te të tjerët, i kanë të “rehatuar” në KEK.

Duhet theksuar se në KEK janë plotësuar 128 pozita, 17 në proces dhe për pesë pozita nuk ka pasur kandidatë të suksesshëm.

Paparaci ka provuar të marrë përgjigje, si nga KEK-u ashtu edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me këto raste të keqpërdorimeve, por të njëjtit nuk i janë përgjigjur mediumit. /Paparaci.com

 

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci