Donika Gërvalla, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, është deklaruar për skandalin e ambasadorit të Kosovës në Slloveni.
Gërvalla njësoj sikurse krerët e shtetit ka pohuar se njëherë për njëherë nuk po konsiderohet shkarkimi i ambasadorit, me arsyetimin se po presin fakte dhe që të flasë drejtësia.
Ajo ka thënë se do të bisedojë brenda një kohe shumë të shkurtër personalisht me ambasadorin në fjalë, derisa ka shtuar se deri tani s’ka asnjë indikacion se raportimi i mediumit slloven është i saktë.
“Në fakt bëhet fjalë për një raportim të një mediumi slloven në fushatën elektorale që po zhvillohet në Slloveni. I kam lexuar me kujdes të gjitha raportimet. Brenda një kohe të shkurtër, do të bisedoj personalisht me ambasadorin Berishaj, i cili shumë qartë ka treguar edhe publikisht që nuk ka asgjë të vërtetë në ato raportime mediale, dhe që do të ndërmerr hapa ligjor me këto akuza që po përballet përmes atij mediumi”, ka thënë Gërvalla në RTV Dukagjini.
“Nuk kam asnjë arsye të besoj që këto pretendime mund të dalin si të sakta, përderisa ambasadori thotë që ato nuk janë të sakta. Është çështje e organeve të drejtësisë që iu është drejtuar z.Berishaj që të bëjnë një konstatim të tillë, dhe jo e jona, apo e interpretimeve të ndryshme. Ne do të ndjekim me shumë kujdes të gjitha zhvillimet, dhe do të ndërrmarim hapat atëherë kur ato do të jenë të nevojshme, nëse do të jenë të nevojshme, gjë për të cilën deri në këtë moment nuk kemi asnjë indikacion”, ka shtuar tutje Gërvalla.
“Deri në këtë moment s’ka asnjë arsye për të besuar që ato raportime përmbajnë të vërtetën”, ka përfunduar Gërvalla
