Asamblisti i Nismës Socialdemokrate në Prishtinë, Endrit Zabërgja, ka njoftuar se është ndërprerë bashkëpunimi mes këtij subjekti politik dhe kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama.
Kështu njoftoi Zabërgja në një postim në Facebook.
“Në fjalën time të sotme, mund të ndiqni pikëpamjet në lidhje me punën e deri tanishme të kryetarit Perparim Rama, dhe arsyet e ndërprerjes së bashkëpunimit tonë me ta”, shkroi ai në Facebook.
Teksa ka shpërndarë fjalimin e tij të sotëm në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ai tha se raporti i punës së Ramës në Prishtinë, përveç “dizajnit të mrekullueshëm, ngjason me një program të fushatës”.
Nisma pretendon se ka ekzistuar një marrëveshje gojore mes dy subjekteve për bashkëpunim.
“Tash e pesë muaj, ne e kemi kursyer veten ndaj lavdit dhe kritikës për qeverisjen tu besu që është dashur të kalohen në tranzicion që me pasë një analizë dhe kritikë objektive. Me publikimin e raportit, na legjitimohet e drejta për kritikë dhe lavdet tona”, tha Zabërgja.
“Fillimisht kryetar iu përgëzoj për guximin për me synu projekte të mëdha. Edhe për intensifikimin e disa punëve në disa sektorë. Në rrafshin e përgjithshëm, përveç dizajnit të mrekullueshëm, ky raport në fillet e saj më shumë ngjason me program të fushatës se raport të punës, duke qenë se fjala ‘do të’ e mbizotëron fjalën ‘kemi'”, shtoi ai.
Krejt në fund, ai deklaroi se “për këto katër vjet, përtej opozitës, ne kemi me qenë gardianë në mbrojtje të rinisë prej diskriminimit dhe nga pabarazia e manipulimet”.
“Duke iu uruar shëndet të gjithëve, duke ua uruar edhe festën e Bajramit, ia uroj çdo të mirë për qytetarët dhe për Prishtinën tonë të dashur”, përfundoi fjalimin Zabërgja.
Nisma Socialdemokrate ka hedhur kritika të shumta ndaj kreut të Prishtinës, për çështje të shumta, duke filluar prej projekteve infrastrukturore e deri te zgjidhja e problemeve e qenve endacakë.
“Nisma natyrisht e ka një asamblist në Kuvendin komunal dhe është në negocim e sipër ndoshta edhe për të marrë një drejtori në udhëheqje që pritet të krijohen së shpejti”, pati thënë ai për Paparacin.
Përparim Rama aktualisht është në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës në Prishtinë. /Paparaci.com
