Të fundit

Vuçiq në prag të një kthese dramatike: “Përgjigjem pas 60 ditësh”

Thonë se nëse doni të shihni situatën politike të regjimit në pushtet në Serbi, mjafton të hidhni një vështrim në raportimet e tabloidëve të Beogradit.

Edhe pse në Serbi ndoshta nuk e kishin menduar kurrë se do të vinte momenti, presidenti i Rusisë Vladimir Putin tani është cak i sulmeve të tabloidëve të kontrolluar nga Aleksandar Vuçiqi.

“Putini e goditi Serbinë pas shpine, e shkëmbeu Kosovën me Donbasin”, shkroi një tabloid serb të enjten. Në të njëjtën frymë raportuan të gjithë tabloidët e tjerë në Serbi. Sulmuan Putinin.

Titujt e tabloidëve të Beogradit tregojnë se çfarë mendon realisht lidershipi aktual i Serbisë.

Raportimet të nxitura nga deklarimet e Putinit për “pranimin” e pavarësisë së Kosovës, vijnë disa ditë pas vizitës në Serbi, dhe në shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të tre senatorëve amerikanë.

Në takimin e zhvilluar të mërkurën e kaluar me senatorët Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Thom Tillis, presidenti i Serbisë vendosi një ultimatum kohor kur do të vendosë përfundimisht për orientimin gjeopolitik të Serbisë.

Pas gjashtëdhjetë ditësh, u tha Vuçiqi, senatorëve amerikanë, se mund ta telefonojnë atë dhe të informohen për qëndrimin e tij rreth orientimit të Serbisë që prej kohësh ulet në dy karrige – mes asaj të Perëndimit dhe të Rusisë.

Biseda mes Vuçiqit dhe senatorëve amerikanë në zyrën e tij në Beograd, është shpalosur në publik nga Chris Murphy, senatori demokrat nga Konektikati, në ditarin e tij të publikuar online.

Shënimet e Murphyt, të cilat i ka përkthyer Paparaci, tregojnë për insistimin e delegacionit amerikan ndaj Vuçiqit që në një periudhë afat-shkurtër të vendosë për të ardhmen e Serbisë mes Perëndimit dhe Rusisë.

Më poshtë, gjeni shënimet e senatorit Murphy për takimin e tij dhe dy senatorëve të tjerë amerikanë në Beograd javën e kaluar.

Shënime nga ditari i sen. Chris Murphy:

Beogradi

Udhëtimi ndodhi me ritme marramendëse. Katër qytete në katër ditë. Nga një natën në secilin qytet në katër hotele. Katërmbëdhjetë orë në ditë nga e hëna në të premte.

Ndalesa jonë e parë ishte Beogradi, Serbia.

Me kalimin e viteve, unë kam zhvilluar një marrëdhënie me presidentin e fuqishëm të vendit, Aleksandar Vuçiq – ne shpesh hamë drekë kur ai viziton Uashingtonin. Kur mbërritëm në zyrën presidenciale, ai e përshëndeti ngrohtësisht delegacionin tonë. As senatori Shaheen dhe as Tillis nuk e kishin takuar më parë Vuçiqin, kështu që unë e nisa bisedën tonë me shënime tipike, të stërzgjatura diplomatike rreth miqësisë së dy kombeve. Dy minuta pas monologut tim hyrës, Vuçiqi ma ndërpreu fjalën.

“Chris, Chris Chris… ne e njohim njëri-tjetrin shumë mirë. Ndalni këtë bisedë formale. Çka doni të dini? Unë do të ju them.”

“Ok, Aleksandër,” iu përgjigja unë. “Ne duam ta dimë këtë – a do të qëndroni me kombet demokratike dhe të sanksiononi Rusinë, apo do të vazhdoni të luani me të dyja palët?”.

Kjo na futi në një bisedë të gjatë dhe të sinqertë për dëshirën historike të Serbisë për, siç thonë atje në Ballkan, uljen në dy karrige. Në një karrige në Evropë dhe në një tjetër në Rusi. Vuçiq e kishte menaxhuar me shkathtësi këtë ekuilibër për vite me radhë, por pushtimi i Ukrainës e ka detyruar atë të mbërrijë në një pikë vendimi. Bashkimi Evropian – në të cilën Serbia dëshiron të anëtarësohet – nuk do ta lejojë më Vuçiqin të ulet në të dyja karriget. Ai do të duhet të vendosë, dhe me kalimin e kohës gjatë takimit, ne e shtymë Vuçiqin të vendos një afat të shkurtër kur ai mund të bënte zgjedhjen e duhur.

“Më telefononi pas gjashtëdhjetë ditësh,” na tha kah fundi i takimit. “Shihni nëse kam bërë atë që po ju them se do ta bëjë.”

Video nga Paradoks

VV SHOW-Pushteti nuk ka problem Vita-n, por pronarin -Historia e marrëdhënieve të Kurtit me Devollët

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci