Të fundit

Dënimi i butë për biznesmenin turk që vodhi rezervat shtetërore

Një nga sipërmarrësit e rrallë që Albin Kurti ka pritur në takim si kryeministër është Ahmet Çalik, pronar i kompanisë private turke “Çalik Holding”.

Takimi mes shefit të qeverisë dhe udhëheqësit të kompanisë që ka në pronësi distributorin shtetëror të energjisë elektrike, KESCO, Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Aeroportin me koncesion 20-vjeçar, është mbajtur i fshehtë për publikun. Ai është realizuar me insistimin e presidentes Vjosa Osmani, ka mësuar Paparaci.

Takimi mes Kurtit dhe Çalikut ka ndodhur pavarësisht prej faktit se Bahadir Aksoy, dhëndri dhe këshilltari i pronarit të “Çalik Holding”, është dënuar për vjedhjen e rezervave të shtetit.

Aksoy, si pronar i kompanisë “Universal Food”, vodhi 2 mijë e 519 tonë grurë nga rezervat shtetërore të Kosovës.

Siç raportoi Gazeta Sinjali në vitin 2021, shteti kishte vendosur që sasinë e grurit rezervë të cilën e kishte deponuar në kompaninë “Universal Food” ta bartte te “Barileva shpk”, që ishte angazhuar nga Ministria e Tregtisë për ta mbajtur sasinë e grurit në kuadër të rezervave.

Gjatë bartjes së sasisë prej 4 mijë e 673 tonë grurë nga kompania paraprake në kompaninë e kontraktuar nga MTI-ja, u zhdukën saktësisht 2 mijë e 519 tonë grurë, duke i shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej rreth 529 mijë e 181 euro e 10 centë.

Për vjedhjen e rezervave shtetërore, sipërmarrësit turk i është shqiptuar dënim qesharak prej një viti burgim me kusht nga gjykata.

Në një aktvendim të nxjerrë më 19 shkurt të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë shqiptoi edhe një dënim me gjobë prej 5 mijë euro për kompaninë “Universal Food”, në pronësi të Bahdir Aksoy.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ju njofton se lidhur me rastin në fjalë ka zhvilluar hetime dhe më datë 10.02.2021, ka ngritur aktakuzën PPS.nr.5/21 për të pandehurit Bahadir Aksoy dhe kompaninë Universal Food. Lidhur me aktakuzën në fjalë Gjykata me datë 19.02.2021 ka nxjerrë aktgjykim dënues – dënim me kusht 1 vit për 2 vite ndaj Bahadir Aksoy dhe dënim me gjobë prej 5 mijë euro për kompaninë Universal Food”, njoftoi Prokuroria Speciale, në një përgjigje për Paparacin.

Biznesmeni i dënuar është obliguar nga gjykata që të kompensojë shtetin.

“Po ashtu është bërë kompensimi i dëmit në total, në vlerën monetare prej 529,181.10 Euro, në Thesarin e Kosovës”, tha Prokuroria Speciale.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Bahadir Aksoy, në cilësi të pronarit dhe personit përgjegjës në kuadër të personit juridik “Universal Food” Sh.P.K, me seli në Fushë Kosovë, me qëllim të disponimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka përvetësuar pasurinë e cila i është besuar atij në ruajtje dhe kujdes.

Në aktakuzën e PSRK-së thuhet se më 1 mars 2016, me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) si autoritet kontraktues, në cilësinë e operatorit ekonomik (OE) kishte lidhur kontratën për “Shërbimet e deponimit të grurit si rezervë shtetërore”.

Prokuroria Speciale e akuzoi biznesmenin Aksoy dhe kompaninë “Universal Food” për veprën penale “Disponimi dhe ndërrimi mallit pa autorizim”.

Përderisa Ministria e Tregtisë e kishte deponuar sasinë prej 4.6 ton grurë tek “Universal Food”, me rastin e përfundimit të kontratës, përkatësisht pranim-dorëzimit të grurit më 24 prill 2019, përkundër obligimit për dorëzim të sasisë së deponuar, te MTI kishte dorëzuar vetëm sasinë prej 2,153.890.

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se i akuzuari Aksoy pa autorizim kishte disponuar sasinë prej 2,519.910 ton grurë, me këtë rast, buxhetit të Republikës së Kosovës i kishte shkaktuar dëm prej 529 mijë e 181 euro e 10 centë.

Me këto veprime, PSRK e ngarkon të akuzuarin Bahadir Aksoy se ka kryer veprën penale “Disponimi dhe ndërrimi i mallit pa autorizim”, nga neni 29 i Ligjit nr. 03/L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave.

Në dispozitivin e dytë të kësaj aktakuze, “Universal Food”, Sh.P.K akuzohet se në cilësinë e personit juridik, me seli në Fushë Kosovë, duke vepruar në kuadër të veprimtarisë së tij afariste, në cilësinë e OE me MTI-në kishte lidhur kontratën për “Shërbimet e deponimit të grurit si rezervë shtetërore”, për periudhën prej 36 muaj kalendarik, raportoi Betimi për Drejtësi.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, përderisa MTI sipas kontratës, rezervat shtetërore të grurit në sasi prej 4,673.8 ton i kishte deponuar te OE i cekur, me rastin e përfundimit të kontratës, përkatësisht me rastin e pranim-dorëzimit të grurit më 24 prill 2019, përkundër obligimit që sasinë totale ta kthej përsëri, te MTI kishte dorëzuar vetëm sasinë prej 2,153.890.

Prokuroria pretendon se personi juridik “Universal Food”, Sh.P.K pa autorizim kishte disponuar sasinë prej 2,519.910 ton grurë, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës i kishte shkaktuar dëm material prej 529 mijë e 181 euro e 10 centë.

Me këto veprime, PSRK e ngarkon personin juridik “Universal Food”, Sh.P.K se ka kryer veprën penale “Disponimi dhe ndërrimi i mallit pa autorizim”, nga neni 29 i Ligjit nr. 03/L-244 për Rezervat Shtetërore të Mallrave. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

Zana Avdiu shuan kurreshtjen, tregon se a ka të dashur - flet për martesë e fëmijë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci