Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim këtë të martë në Kuvendin e Shqipërisë përmes një video-mesazhi me ligjvënësit shqiptarë.
Lideri ukrainas foli për situatën në vend dhe nevojën për më shumë mbështetje humanitare dhe armatime për të cilat ka nevojë ushtria në përballimin e sulmeve ruse.
“Dje myslimanët festuan Bajramin. Ju përgëzoj për këtë festë. Rusia i ka shndërruar të gjitha ditët tonë në një rrezik vdekjeprurës. Në qytetin e Odesës një 14-vjeçar ka humbur jetën. Çdo ditë, ukrainasit humbasin fëmijët e tyre. Sot është një ceremoni lamtumire për gazetaren që u vra nga një raketë ruse. Në Khrakiv, një e pesta e të gjitha shtëpive është shkatërruar tashmë. Shpesh pushtuesit nuk lejojnë as të varrosim të vrarët”, tha ai.
Zelensky ka thënë se është mirënjohës ndaj Shqipërisë që nuk ka hezituar ta mbështesë.
Ai ka thënë se ky qëndrim i Shqipërisë ndaj popullit të Ukrainës e bën ta kujtojë Nenën Terezën.
“Ajo mësoi se përpjekjet e mira të përditshme mund të mposhtin të keqën. Unë besoj që së bashku me gjithë evropianet ne do të jemi në gjendje ta ndalim këtë luftë”, shtoi ai.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, i bëri thirrje Shqipërisë që të kufizojë ardhjen e turistëve rusë në vendin tonë këtë verë.
Më herët gjatë një konference për shtyp me gazetarët, kryeministri Edi Rama deklaroi se vendi ynë do t’i hapë derën të gjithë turistëve të huaj, përfshirë dhe ata rusë. Madje nga 1 maji, ka hyrë në fuqi dhe masa që lejon të gjithë qytetarët rusë që të hyjnë në vendin tonë pa viza.
Kujtojmë se Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor të cilit Volodimir Zelenski i drejtohet me një videomesazh.
Këtu mund të shikoni fjalimin e Zelenskyt në Parlamentin e Shqipërisë
