Hungaria nuk mund t’i mbështesë sanksionet e reja të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, ka deklaruar kryeministri hungarez, Viktor Urban.
Udhëheqësi i ekstremit të djathtë tha se propozimi aktual i Komisionit Evropian për ndalimin e importeve të naftës ruse do të përbënte një “bombë atomike” të hedhur në ekonominë hungareze, duke shtuar se Hungaria ishte e gatshme të negocionte nëse sheh një propozim të ri që do të përmbushte interesat e vendit, raporton Sky Neës të premten.
Ekzekutivi i BE-së propozoi të mërkurën paketën më të ashpër të sanksioneve deri më tani kundër Moskës, por disa vende u shprehën të shqetësuara për ndikimin e ndërprerjes së importeve të naftës nga Rusia.
Një pjesë e vogël e vendeve lindore të BE-së janë të shqetësuara se ndalimi nuk do t’u japë atyre kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur, edhe pse diplomatët thanë se Hungarisë dhe Sllovakisë do t’i jepet afat deri në fund të vitit 2023.
Orban i tha radios shtetërore se Hungarisë do t’i duhen pesë vjet dhe do të bëjë investime të mëdha në rafineritë dhe tubacionet e saj për të qenë në gjendje të transformojë sistemin e saj aktual, i cili mbështetet rreth 65% në naftën ruse.
“Ne e dimë saktësisht se çfarë na duhet, së pari na duhen pesë vjet që të përfundojë i gjithë ky proces. Një deri në një vit e gjysmë nuk mjaftojnë për asgjë,” tha ai, duke shtuar se Hungaria do të ketë nevojë gjithashtu për investime të mëdha në rafineritë dhe sistemin e transportit detar për të lejuar importet e naftës jo-ruse.
Orban vuri gjithashtu në dyshim nëse ishte e mençur të bëheshin investime në atë shkallë për një rezultat në 4 deri në 5 vjet, ndërkohë që lufta në Ukrainë po ndodhte tani.
Ai shtoi se Hungaria po priste të shihte një propozim të ri nga Komisioni.
“Unë nuk dua të konfrontohem me BE-në, por të bashkëpunoj, por kjo është e mundur vetëm nëse ata marrin parasysh interesat tona”, ka deklaruar Orban.
