Korporata Energjetike e Kosovës e ka anuluar konkursin skandaloz që u përcoll me punësime familjare e partiake të anëtarëve të Bordit të KEK-ut dhe militantëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, nga Lëvizja Vetëvendosja ia hedhin fajin Lidhjes Demokratike për këtë çështje.
Vendimi i ndërmarrjes publike është marrë sot pas rekomandimit nga komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit.
Megjithëse, Halil Thaçi thotë se fajtor për anulimin e këtij konkursi është Lidhja Demokratike e Kosovës bashkë “me mediumet që e përkrahin LDK-në”.
Përveç kësaj, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje thotë se anulimi i konkursit është një padrejtësi e madhe për banorët e Komunës së Obiliqit.
“S’jam i njoftuar. Kjo është një tendencë politike, në veçanti në ato zhurmat e mëdha që janë bërë, janë bërë prej LDK-së, respektivisht prej kryetarit të Obiliqit. Ky është i vetmi konkurs që ka pranuar më së shumti banorë të Obiliqit, që nga paslufta”, tha ligjvënësi i pushtetit, i cili vjen pikërisht nga Komuna e Obiliqit.
“Konsideroj që është një padrejtësi për banorët e Obiliqit. LDK-ja e ka bërë një fushatë me të gjitha mediat që e përkrahin LDK-në”, deklaroi Thaçi.
Ai po ashtu nuk ishte në dijeni për konkursin e anuluar, ku u pranuan mbi 120 persona. Shumica prej tyre të afërm me funksionarë të KEK-ut dhe pushtetit.
“Unë e kuptova prej teje që është anuluar. Tash e shohim. Unë nuk kam ndonjë muhabet me drejtorin (KEK), por si deputet do ta ngriti këtë problem”, shtoi ai në një prononcim për mediumin online Paparaci.
Të premten, KEK njoftoi se konkursi është anuluar për të gjitha pozitat e shpallura për 127 vende të lira pune.
“Sot ka përfunduar punën komisioni i pavarur për vlerësimin e procesit të rekrutimit i përberë nga eksperti i pavarur ligjorë i angazhuar në projektin e BE-së për reforma në administratën publike, eksperti i pavarur i proceseve të rekrutimit dhe zyrtari ligjorë i KEK-ut. Duke u bazuar në rekomandimet e komisionit të pavarur, z. Nagip Krasniqi, Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës ka marrë vendim për anulimin procesit duke filluar nga selektimi, rezultatet e testit me shkrim dhe intervistat me gojë për të gjitha pozitat e shpallura sipas konkursit për plotësimin e 127 pozitave të lira, si dhe përsëritjen e këtyre fazave për të gjithë kandidatët që i plotësojnë kriteret e parapara me konkurs”, thuhet në njoftim.
“Bazuar në të gjeturat, komisioni i pavarur ka dhënë rekomandim për anulimin selektimit, rezultateve të testit me shkrim dhe intervistave me gojë për të gjitha 127 pozitat e shpallura me konkurs, bazuar në të cilin është marrë edhe vendimi i Kryeshefit Ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës”, thuhet në kumtesën e KEK-ut, dërguar mediave.
Hulumtimi i Paparacit kishte shpërfaq nepotizmin e aplikuar në baza partiake dhe familjare të një konkursi të KEK-ut, ku kishin aplikuar 4 mijë e 668 persona.
Dëshmitë që u publikuan nga Paparaci vendosën në lëvizje Prokurorinë Themelore në Prishtinë e cila inicioi hetime ndaj procesit.
Nepotizëm, konflikt interesi, punësime militantësh – krimi i pushtetit me punësime në KEK
